HOMAZH PËR PROF. DR. SKËNDER SKËNDERAJ
Me hidhërim të thellë, njoftojmë se u nda nga jeta Prof. Dr. Skënder Skënderaj, Mjek, Profesor i nderuar dhe ish-Dekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Profesor Skënder Skënderaj dhe ndan me familjen Skënderaj dhimbjen për humbjen e të dashurit të tyre. Ngushëllimet ndahen edhe me kolegët, bashkëpunëtorët dhe studentët e tij ndër breza në Fakultetin e Mjekësisë. Vdekja e Prof. Skënderaj është humbje e madhe për Mjekësinë Shqiptare.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë njofton se homazhet për Prof. Dr. Skënder Skënderaj do të zhvillohen ditën e hënë, datë 23.05.2016, në orën 11:00, në Sallën “Blu”, në katin e dytë të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Varrimi do të bëhet në orën 13.00 të ditës së hënë.
Prof. Dr. Skënder Skënderaj lindi në Qytetin e Tepelenës. Ai kreu arsimin e lartë në degën e Mjekësisë së Përgjithshme në vitin 1966. Pas studimeve të larta, më 1966, ai emërohet në Drejtorinë e Higjienës në Vlorë dhe pas tre vjet pune si mjek i diplomuar, ai emërohet pedagog në Universitetin e Tiranës, në katedrën e higjienës të Fakultetit të Mjekësisë. Krahas punës si pedagog, Prof. Skënderaj lëvroi edhe punën kërkimore e shkencore. Në vitin 1981 ai pranohet si “Kandidat i shkencave mjekësore”, më 1988 fiton titullin “Docent” dhe më 1989, Prof. Dr. Skënder Skënderaj fiton titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore”. Për rreth 30 vite, Prof. Skënderaj punoi si pedagog i shquar në Fakultetin e Mjekësisë dhe për katër vjet ai u bë Dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Për shumë vite me rradhë, ai ka qenë shef i Pavionit të Sëmundjeve Profesionale në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” (QSUT). Nga puna e tij kërkimore shkencore janë botuar shumë studime e tekste të profilit të tij profesional. Nga këto tekste udhëheqëse për praktikën e higjienës mund të theksohen: “Higjiena e përgjithshme” (2 pjesë), “Higjiena dhe parazitologjia”, “Higjiena e përgjithshme për studentët e stomatologjisë”, “Dëmtimet nga plumbi dhe mbrojtja kundër tij”, “Helmimet industriale”, dhe shumë studime e botime të tjera me vlerë në fushën e mjekësisë, e sidomos asaj të higjienës. Librat e tij në fushën e mjekësisë kanë kontribuar shumë për përmirësimin e kushteve të punës të punëtorëve.
Prof. Dr. Skënder Skënderaj ka dëshmuar një humanizmin të rrallë si mjek dhe një respekt të veçantë për studentët dhe kolegët. Ai nuk është kursyer kurrë në ndihmë të pacientëve dhe kolegëve. Këto cilësi e nderojnë dhe lartësojnë emrin e tij. Kontributi i tij mësimdhënes dhe puna e palodhshme shkencore, na bëjnë të jemi të gjithë krenar dhe mirënjohës për këtë personalitet të shquar të Mjekësisë Shqiptare.
Ngushëllime të sinqerta,
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Publikuar më 23.05.2016