LEKSION NDËRGJEGJËSIMI PËR MASAT ANTI-KORRUPSION – 7 DHJETOR 2015
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) në bashkëpunim me Prezencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) në Shqipëri organizojnë një leksion ndërgjegjësimi për masat anti-korrupsion ditën e Hënë, më datë 07 Dhjetor 2015, në orën 11:00, në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Ky leksion organizohet në kuadër të projektit të Prezencës “Mbështetje të masave kundër korrupsionit në Shqipëri”, të mbështetur nga Qeveria Italiane, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe kontributi i Shkollës Italiane të Administratës Publike dhe është pjesë e aktiviteteve që OSCE po zbaton në Shqipëri gjatë vitit 2015 me titull “Ndërgjegjësimi i të rinjve ndaj masave anti-korrupsion”. Përmes këtyre nismave, Prezenca OSCE është duke organizuar rreth 30 leksione në formatin e bashkëbisedimit të drejtuar nga aktivistë/ekspertë të fushës në disa shkolla të mesme dhe universitete publike në mbarë vendin.
Lektori i përzgjedhur për të dhënë këtë leksion në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë do të jetë Z. Fatos Lubonja.
Leksionet do të fokusohen tek pasojat që shkakton korrupsioni dhe mënyrat e adresimit të tij, efektet social-ekonomike, çështje të integritetit dhe etikës në arsim, si edhe shkëmbimin e ideve për mënyrat e adresimit të tij në fusha me interes për të rinjtë. Gjithashtu, gjatë leksioneve, do të njoftohet një konkurs idesh (ese) mes të rinjve mbi temën e anti-korrupsionit, prej të cilave dhjetë esetë më të mira do të prezantohen në një event kombëtar. Autorët e tri eseve më të mira do të fitojnë të drejtën për të marrë pjesë në një kurs veror në Akademinë Ndërkombëtare të Anti-korrupsionit (IACA).
Kjo nismë është pjesë e asistencës së vazhdueshme që Prezenca OSCE ka dhënë për institucionet qendrore dhe vendore në Shqipëri, në funksion të qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit. Projekti synon të mbështesë masat anti-korrupsion në vend, ndër të tjera rritjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi mjetet në dispozicion për luftimin dhe denoncimin e korrupsionit. Leksionet do të jenë pjesë e fushatës ndërgjegjësuese kundër korrupsionit, duke plotësuar fushatën e ndërgjegjësimit mediatik që është pjesë e projektit.
Ftojmë studentët e Universiteti i Mjekësisë, Tiranë të marrin pjesë në këtë leksion të hapur që do të zhvillohet ditën e Hënë, më datë 07 Dhjetor 2015, në orën 11, në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Publikuar më 05.12.2015