MARRËVESHJA MES UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË DHE UNIVERSITETIT TË KAMERINOS
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë dhe Universiteti i Kamerinosë (Itali) nënshkruan ditën e shtunë, 26.10.2013, një marrëveshje bashkëpunimi që synon thellimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve. Ceremonia e nënshkrimit u krye gjatë vizitës që Rektori i Universitetit të Kamerinos, Prof. Dr. Flavio Corradini dhe drejtues të tjerë të këtij Universiteti zhvilluan në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë. Gjatë vizitës së palës italiane, ata u pritën nga Rektorja e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Jera Kruja, Zv. Rektore, Prof. Asc. Suela Këlliçi, Dekani i Fakultetit të Farmacisë, Prof. Dr. Besnik Jucja dhe drejtues të tjerë të Universitetit.
Marrëveshja synon zhvillimin akademik të stafit perdagogjik në sajë të bashkëpunimit institucional dhe avancimit të shkëmbimit bilateral, si dhe të koordinimit të aktiviteteve dhe veprimtarive kërkimore-shkencore ndëruniversitare.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të dyja palët shprehën kënaqësinë për këtë hap drejt konkretizimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Rektorja Jera Kruja e vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje si një hap të rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit me Universitetet Europiane.
Universiteti e Mjekësisë, Tiranë i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit me Universitete prestigjioze ndërkombëtare dhe synon impenjimin konkret në marrëdhëniet bilaterale në fusha të caktuara të shkencave mjekësore ku bashkëpunimi të jetë më i frytshëm dhe konstruktiv.
Në sajë të marrëveshjes, një pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Farmacisë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë do të angazhohet në programe shkëmbimi me Universitetin e Kamerinos.
Sfidat e Universiteti të Mjekësisë, Tiranë po konkretizohen dalëngadalë me marrëveshje dhe hapa konkrete dhe vazhdojnë misionin e saj të orientuar drejt ekselencës në të gjitha drejtimet në fushat mjekësore në Shqipëri.