HOMAZH PËR AKADEMIKUN PROF. DR. YLLI POPA

HOMAZH PËR AKADEMIKUN PROF. DR. YLLI POPA

Me hidhërim të thellë, njoftojmë se u nda nga jeta mjeku dhe akademiku i shquar Prof. Dr. Ylli Popa.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së akademik Popës, botës akademike shqiptare e më gjerë, si dhe miqve, kolegëve dhe studentëve të Tij.

Varrimi bëhet sot më datë 16.08.2017, ora 17:00, nga shtepia e tij në varrezën Sharrë Kombinat.

NEKROLOGJI

U nda nga jeta akademiku Ylli Popa

Sot pasdite, pas një gjendjeje të përkeqësuar kronike të shëndetit, u nda nga jeta akademiku Ylli Popa, intelektual i mirënjohur, me veprimtari të shumanshme, të shtrirë në më shumë se gjashtë dekada.
Ylli Popa u lind në një familje me tradita intelektuale dhe kombëtare në qytetin e Elbasanit në vitin 1930. Pasi përfundoi studimet si normalist në qytetin e lindjes u diplomua si mjek në Bukuresht, në fushën e medikologjisë. Pas kthimit nga Rumania, për tre vjet me radhë drejtoi të parën katedër universitare të biokimisë në Shqipëri.
Me themelimin e Universitetit të Tiranës për një kohë të shkurtër u ngarkua të punonte në katedrën e sapokrijuar të terapisë spitalore. Ylli Popa është një prej mjekëve të parë shqiptarë që u specializuan për kardiologji përmes studimeve pasuniversitare.
Gjatë viteve 1958-1961 ai ndërpreu mësimdhënien në Universitet dhe thelloi studimet mjekësore në Moskë. Me kthimin në Shqipëri, si mjek në spitalin klinik shtetëror nr. 1, bashkë me kolegë të tjerë, Ylli Popa u bë themelues i shkollës shqiptare të kardiologjisë, e cila pati vlerësime të larta edhe prej personalitetesh të larta të kësaj fushe në botë.
Shërbimi si mjek në rrjetin spitalor të vendit dhe mësimdhënia e kërkimi universitar janë dy shtylla paralele mbi të cilat u zhvillua veprimtaria shkencore dhe intelektuale e akademikut Ylli Popa. Duke qenë shef i pavijonit të kardiologjisë në shërbimin spitalor, në të njëjtën kohë drejtonte edhe katedrën universitare të propedeutikës, në krye të së cilës qendroi deri në vitin 1983. Nën drejtimin e tij u themelua e para katedër dhe i pari shërbim shqiptar i kardiokirurgjisë, të cilat i kryesoi deri në vitin 1993.
Autor e bashkautor i botimeve universitare Leksione të kardiologjisë dhe Kardiologjia, që njohën disa rishtypje, përgjatë më shumë se dy dekadave prof. dr. Ylli Popa la gjurmën e dijeve dhe të përvojës së tij serioze në disa breza mjekësh.
Atij i takon merita e përveçme që, qysh në vitin 1972, për herë të parë në shërbimin shëndetësor shqiptar dhe në veprimtarinë universitare të vendit zuri vend koncepti bashkëkohor i mjekësisë moderne mbi miokardiopatitë idiopatike.
Në veprimtarinë e tij të gjatë si mjek e si mësimdhënës, Ylli Popa e njohu jetën e popullit shqiptar nga majat dhe nga fundi, nga klinikat e udhëheqjes politike dhe nga fati i njeriut pa krahë, që tek mjeku shihte shpëtimtarin e jetës. Kjo njohje zgjeroi tek ai shqetësimin qytetar dhe fuqinë e mendimit intelektual.
Ai është autor i të parit artikull kontestues mbi vlerat e sistemit politik kushtetues që trashëgoi Shqipëria që nga viti 1944. Shkrimi i tij, me një titull të huazuar nga vepra e njohur e M. Proust-it “Në kërkim të kohës së humbur”, botuar më 30 prill dhe 1 maj të vitit 1990 pikërisht në zëdhënësen e përditshme të partisë në fuqi, shkaktoi një tronditje të fuqishme ideologjike dhe u bë shenjë për botën e jashtme se në Shqipëri po shfaqej publikisht edhe mendimi ndryshe.
Ylli Popa ishte kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për një periudhë 10-vjeçare, në një kohë të vështirë (1997-2007), dhe njihet si një nga drejtuesit më jetëgjatë të këtij institucioni, më jetëgjati pas viteve 1990. Në krye të këtij institucioni, ai vendosi gjithë autoritetin e tij, gjithë mundësitë e ndikimit, fuqinë e mendjes dhe të shpirtit, për t’i rikthyer atij autoritetin si institucioni më i lartë i kërkimit shkencor në vend, me përgjegjësinë e një kryeqendre të studimeve albanologjike brenda dhe jashtë vendit, që hartoi të parën platformë të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare, e cila u bë pikë reference jo vetëm në jetën shkencore, por dhe në veprimin diplomatik ndërkombëtar.
Ai njihet në gjithë botën akademike-universitare sa për urtësinë e tij, aq dhe për mendimin reformator dhe për advokimin ndaj albanologjisë, si shkencë e identitetit.
Akademiku Ylli Popa ishte një dijetar që njihej dhe vlerësohej edhe në shkallë rajonale e ndërkombëtare. Shumë artikuj shkencorë të tij u botuan në revista shkencore të indeksuara jashtë vendit.
Për gjashtë vjet (1987-1993) ishte kryetar për Shqipërinë i Lidhjes Ballkanike të Mjekëve (Union Medicale Balcanique).
Veprimtaria qytetare e Ylli Popës njeh një tjetër pikë reference, duke qenë anëtar themelues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, e para organizatë opozicionale dhe kritike ndaj sistemit politik që ishte trashëguar, që e formalizoi veprimtarinë e tij para krijimit të së pares opozitë politike në Shqipëri. Në kuadër të kësaj organizate ai ka luajtur një rol parësor në mbrojtje të të drejtave të njeriut në një prej periudhave më të vështira.
Ylli Popa ka qenë deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë për dy legjislatura. Për veprimtarinë e tij shumë të dobishme në shërbim të shkencës dhe popullit ai ka mbajtur titullin e lartë Hero i Punës Socialiste dhe është dekoruar me urdhrin Flamuri i Kuq i Punës.
Akademik Ylli Popa do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si kardiolog e si profesor, si akademik e si njeri, si qytetar e dijetar, si veprimtar shoqëror e si një model i rrallë i urdhërit të mjekut.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së akademik Popës, botës akademike shqiptare e më gjerë, si dhe miqve e kolegëve të Tij.

               REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 16 gusht 2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *