DEKLARATË PËR SHTYP

DEKLARATË PËR SHTYP

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e ndodhur ditën e Martë, më datë 22/09/2015, në Shërbimin e Onkologjikut të Qendrës Spitalore Universtare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT), ku janë dhunuar në krye të detyrës Dr. Silvana Çeliku, mjeke e mirënjohur dhe pedagoge në Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe infermiere Znj. Sashenka Kristo.

Informojmë se Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i bashkohet shqetësimit të personelit shëndetësor të Shërbimit të Onkologjisë, si dhe të të gjithë përfaqësuesve të mjekësisë dhe opinionit publik në mbarë vendin dhe dënon me forcë çdo akt dhune kundrejt profesionistëve të shëndetësisë, të cilët me mund dhe sakrificë përmbushin, çdo ditë, misionin e tyre të shenjtë.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i bën apel mediave, analistëve dhe politikanëve që në debatet e natyrshme për problematikat dhe reformimin e sistemit shëndetësor, të shmangin përballjen dhe denigrimin e figurës së mjekëve. Pa rikthimin e besimit midis publikut dhe bluzave të bardha nuk mund të ketë asnjë përmirësim të ndjeshëm dhe reformë të suksesshme të sistemit shëndetësor.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë inkurajon sensibilizimin e qytetarëve në respektimin e figurës së personelit shëndetësor në detyrë dhe është i vendosur që së bashku me profesionistët e shëndetësisë shqiptare t’u rikthejë qytetarëve besimin tek shërbimi shëndetësor. Detyra dhe misioni i Mjekut dhe të gjithë personelit mjekësor është mbrojtja e shëndetit të njeriut në sfidat e mëdha të jetës.

 

PËR UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË

REKTORI Prof. Dr. ARBEN GJATA

 

 

Deklarata për shtyp: PDF-icon

                 

Publikuar më 23.09.2015

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *