DEKLARATË PËR SHTYP
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, përmes kësaj deklarate për shtyp, i drejtohet opinionit të gjerë publik dhe në veçanti studentëve dhe pedagogëve të këtij Universiteti, që me entuziazmin e tyre po bëjnë përpjekjet maksimale në mbështetje të kesaj iniciative të re për të konsoliduar një strukturë të aftë për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe sfidave të së ardhmes.
Krijimi i Universitetit të Mjekësisë, një ide e lindur prej më shumë se një dekade, erdhi si rezultat i dinamikës së zhvillimeve të brendshme dhe këmbënguljes së strukturave akademike mjekësore me një synim: rritjen e cilësisë dhe përgatitjen e brezave të ardhshëm, duke bashkuar të gjitha strukturat mjekësore nën drejtimin e një institucioni profesional dhe kompetent që i njeh dhe i ndjek problemet e tij nga afër.
Universiteti i Mjekësisë trashëgoi Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike dhe mundësoi krijimin e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Fakultetit të Farmacisë dhe Fakultetit të Shëndetit Publik me objektiv përmirësimin e cilësisë akademike dhe studimin e profilizuar të profesionistëve të ardhshëm në këto fusha mjekësore. Universiteti i Mjekësisë është mbështetur vazhdimisht në bashkëpunimin dhe partneritetin e ngushtë me studentët dhe stafin akademik.
Ne besojmë se zërat kundër Universitetit të ri, janë të nxitur nga ndryshimi i Status Quo-së së një drejtuesi të mësuar me një model drejtimi konfliktual, arrogant, klientelist dhe jo rrallë në shkelje të ligjit, që për ironi të fatit nuk e lidh asgjë me mjekësinë.
Sigurojmë studentët se ekzistenca e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë vetëm rrit mundësinë për akreditimin dhe njohjen e diplomave të Fakulteteve të këtij Universiteti, gjithashtu sigurojmë studentët se të gjitha Programet e Studimit në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë janë të liçencuara nga Agjensia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë, në të njëjtën mënyrë si çdo Universitet Publik në Shqipëri.
Çdo aludim mbi mosnjohjen e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë është spekulativ dhe i pavërtetë.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË