AKTIVITETI KANCERI I GJIRIT PARANDALOHET
Muaji Tetor është muaji ndërkombëtar i dedikuar për ndërgjegjësimin e popullatës rreth kancerit të gjirit. Kjo nismë vjen si nevojë për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje dhe, gjithashtu, për të informuar të gjithë se kjo sëmundje mund të parandalohet. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim. Kjo rritje në vitet e fundit është për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës. Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se, zbulimi në kohë i sëmundjes me anë të kontrollit të vazhdueshëm mbetet mënyra më efikase për parandalimin e tij.
Në kuadër të këtij muaji, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë bashkohet në këtë nismë dhe bashkëpunon ngushtë me Këshillin Studentor të Universitetit të Mjekësisë Tiranë dhe organizatën “Brainstorm”, duke organizuar, për të dytin vit radhazi, aktivitetin “Kanceri i Gjirit Parandalohet”. UMT ka qenë përherë një promotor i nismave dhe i fushatave për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e popullsisë në lidhje me rrezikun që vjen nga sëmundje të ndryshme, duke nxitur vazhdimisht studentët e tij që të marrin pjesë në projekte dhe fushata informuese me karakter human dhe mjekësor.
Ky është një aktivitet Informues dhe Depistues me qëllim diagnostifikimin sa më herët në kohë të popullatës për parandalimin e kësaj sëmundje serioze që shënon shkakun e dytë në botë të vdekjeve tek gratë nga sëmundjet kanceroze. Në këtë aktivitet do të ketë një numër të konsiderueshëm të aktivisteve të cilat do të ofrojnë informacion mbi këtë sëmundje. Aktiviteti do të zhvillohet nga data 17 Tetor deri më 30 Tetor 2014 dhe shtrihet në 13 qytetet kryesore të Shqipërisë dhe 3 qytete të Kosovës, përkatësisht: Tiranë, Durrës, Kavajë, Fier, Lushnje, Vlorë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Librazhd, Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Prizren, Gjakovë dhe Prishtinë. Në Tiranë do të vendosen tre çadra në tre pika kryesore që janë: Rruga e Elbasanit, Parku i Tiranës (Liqeni Artificial) dhe Rruga Asim Vokshi (pranë ish- stacionit të Trenit), ku do të ketë studentë të shkencave mjekësore dhe mjekë.
Gjatë këtij aktiviteti, studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë do të informojnë zonjat mbi kancerin e gjirit dhe më pas do t’iu ofrohet të drejtohen tek çadrat e ngritura për të marrë informacione më të detajuara pranë mjekëve. Ajo që është e veçantë në këtë aktivitet është fakti se për të parën herë në Shqipëri do të merret një statistikë e saktë nëpërmjet një anketimi mbi ketë sëmundje. Anketimi zhvillohet online dhe në terren duke synuar një numër mbi 30.000 gra të përfshira. Anketimin online mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm
http://www.research-class.com/survey/index.php/628155/lang-sq
Për informacione të mëtejshme rreth intineratit në qytete dhe pjesëmarrjes, mund të kontaktoni në emailin: brainstormorganisation@gmail.com
Aktiviteti do të shtrihet edhe në qytete të tjera, ku do të punojnë vullnetarë në mënyrë të pavarur dhe vetëm për anketim.
Për vetë rëndësinë sensibilizuese të këtij aktiviteti, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, fton të gjithë studentët që të marrin pjesë në këtë aktivitet.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë falenderon të gjithë pjesëmarrësit që kontribojnë në këtë aktivitet dhe mirëpret të gjithë studentët në aktivitete të ardhshme me vlerë sociale dhe qytetare.
Kanceri i Gjirit Parandalohet, përmes informacionit.
REKTORATI