KONFERENCA SHKENCORE NDËRKOMBËTARE “MJEKËSIA NATYRALE E BIOINTEGRUAR DHE SHKENCAT BASHKËKOHORE”
Ditën e Enjte, më datë 04 Qershor 2015, në sallën e Amfiteatrit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (UMT), Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë së Biointegruar të Romës, Itali, organizuan konferencën shkencore ndërkombëtare me temë: “Mjekësia natyrale e biointegruar dhe shkencat bashkëkohore”. Punimet e konferencës së përbashkët shkencore u zhvilluan në dy gjuhë, Shqip dhe Anglisht, në datat 04 – 05 Qershor 2015.
Kjo konferencë u realizua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të stafit akademik dhe shkencor të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike për prezantimin dhe promovimin e njohurive të reja bashkëkohore shkencore në fushat e shkencave mjekësore.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj, Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Nora Malaj, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike Prof. Dr. Petrit Bara, Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Mira Rakacolli, Rektori i Universitetit të Shkencave Mjekësore Rezonanca në Prishtinë Prof. Dr. Arian Idrizaj, Drejtori i Kursit të Naturologjisë Psikosomatike dhe Ndihmës të Akademisë Ndërkombëtare të Kërkimit dhe Shkencës (Aires – Romë) dhe Aron (WLO World) Dr. Natale Petti dhe Prof. Mark Ulrich pedagog i Universitetit St. John’s i New York-ut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët përshëndetën iniciativën e bashkëpunimit shkencor me synim zhvillimin e përbashkët dhe përditësimin e të dhënave shkencore të arritura nga Departamentet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe Institutin e Mjekësisë së Biointegruar të Romës.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin stafi akademik i Fakultetit e Shkencave Mjekësore Tëknike të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, pedagogët e fakulteteve të tjera shqiptare dhe shqipfolëse, studentët e shkollave doktorale dhe ata të ciklit të dytë të studimeve master, mjekë, farmacistë, infermierë, teknikë laboratori, etj.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË