Përfundon me sukses  “Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore”

Përfundon me sukses “Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore”

Ditën e dielë, 12.01.2014, përfundoi me sukses punimet e saj “Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore“, e organizuar në ambjentet e Tirana International Hotel. Konferenca ishte iniciativa e parë kombëtare për vitin 2014 e të gjitha strukturave të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, e cila ishte e fokusuar tërësisht në shkencat mjekësore.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh falenderimet e sinqerta Organizatës Brainstorm, Fakultetit të Mjekësisë dhe Këshillit Studentor të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë për bashkëpunimin e ngushtë në këtë organizim dhe falenderon, gjithashtu, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Një falenderim i veçantë i drejtohet Stafit Organizues, Komitetit Shkencor, Profesorëve, Profesionistëve dhe Studentëve referues, si dhe të gjithë Pedagogëve dhe Studentëve pjesëmarrës në dy ditët e konferencës.


Në këtë konferencë nderuan me pjesëmarrjen e tyre Zv. Ministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit Nora Malaj, Zv. Ministrja e Ministrisë së Shëndetësisë Milva Ekonomi, Rektorja e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Jera Kruja, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Bajram Hysa, Zv. Dekani Fakultetit të Mjekësisë Xheladin Dracini dhe Kryetari i Këshillit Studentor të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Gentjan Asllanaj. 

Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore kishte për qëllim transmetimin e dijeve dhe studimeve të fundit në mjekësi dhe është një iniciativë e madhe që i gjithë Universiteti i Mjekësisë, Tiranë ndërmerr në promovimin dhe angazhimin e njësive të tij në fushat e ndryshme të kërkimit shkencor. 
Gjatë dy ditëve të konferencës u paraqiten 28 punime të mirëfillta shkencore nga mjekë, pedagogë, profesionistë, njohës dhe ekspertë të fushave të caktuara të mjekësisë, si dhe nga studentë të talentuar të cilën kanë kryer kërkime të thelluara sipas fushës së studimit. Pjesë e Komitetit Shkencor që kanë vlerësuar punimet e konferencës ishin pedagogët e njohur të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë: Prof. Dr. Jera Kruja, Prof. As. Arben Beqiri, Prof. As. Arvin Dibra, Prof. Dr. Bajram Hysa, Prof. Dr. Genc Burazeri, Prof. Dr. Hektor Sula, Dr. Shk. Laert Berdica, Dr. Shk. Rudin Domi, Prof. Dr. Ruzhdie Qafmolla, Prof. As. Suela Këlliçi, Prof. Dr. Xheladin Draçini.

Ky aktivitet mblodhi sëbashku disiplina të shumta kryesisht në fushat mjekësore të kirurgjisë, onkologjisë, neurologjisë, urologjisë dhe nga disiplina të mjekësisë dentare, të farmacisë dhe të shëndetit publik. Konferenca ishte e akredituar nga Qëndra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV) dhe u dha mundësinë pjesëmarrësve të përfitonin 8 krediteve për pjesëmarrësit pasiv dhe 12 kredite për referuesit.


Universiteti i Mjekësisë, Tiranë ka qenë organizator dhe bashkë-organizator i shumë konferencave dhe aktiviteteve me nivel të lartë shkencor dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në projekte me karakter mjekësor, duke qenë përherë një promotor i nismave dhe ideve inovative për studentët e tij dhe shoqërinë shqiptare. 

Duke i falenderuar të gjitha strukturat e UMT-së për punën e tyre dhe për referimet me vlerë të çmuar shkencore, Universiteti e Mjekësisë, Tiranë i uron suksese të mëtejshme në punën e tyre profesionale dhe akademike dhe fton të gjithë studentët e tij të jenë përherë të pranishëm në iniciativat e tjera në vazhdim!


Rektorati i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë – UMT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *