Ceremonia e diplomimit të studentëve të vitit akademik 2022-2023

Ceremonia e diplomimit të studentëve të vitit akademik 2022-2023

Nën sloganin “Një ditë ti do të bëhesh shpresa e dikujt, heroi i dikujt”, me datë 1 Korrik 2024, në Pallatin e Koncerteve Tiranë, u zhvillua ceremonia e diplomimit për vitin akademik 2022-2023 të studentëve të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Në sallën e mbushur plot me studentë e familjarë të tyre, pedagogë dhe staf administrativ, të ftuar nderi, nën moderimin e Angelo Haruni, u  përjetuan emocione të paharrueshme.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj. Albana Koçiu, përshëndeti këtë ceremoni dhe inkurajoi të sapodiplomuarit ta vazhdojnë me profesionalizëm rrugën që ata kanë zgjedhur, duke ndjekur shembullin e pedagogëve të tyre.

Një hapësirë e veçantë iu la për përshëndetje studentëve të ekselencës nga tre Fakultetet, Françeska Spahiu, Endri Murzaku, Bleona Skepi, Ejsi Vula. 

Ceremoninë e përshëndetën Prof. Xheladin Draçini, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. As. Silvana Bara, Zv/Dekane e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Prof. Iliriana Zekja, Dekane e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Arben Gjata, në përshëndetjen e tij theksoi faktin që puna në ekip e punonjësve të shëndetësisë është themeli i suksesit për një shërbim efikas ndaj pacientëve. Ai gjithashtu, inkurajoi të sapodiplomuarit që të kontribojnë me pasion dhe profesionalizëm në Shqipëri.

Çasti kulmor i ceremonisë ishte hedhja e kapeleve nga studentët e sapodiplomuar, në një atmosferë mjaft festive dhe emocionuese.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i uron rrugëtim të suksesshëm profesionistëve të rinj të Shëndetësisë!