Edukimi në Vazhdim për profesionistët e shëndetësisë është procesi nëpërmjet të cilit profesionistët e shëndetësisë përditësojnë dijet dhe aftësitë e tyre gjatë gjithë jetës për të plotësuar nevojat e pacientëve, të shërbimeve shëndetësore dhe ato të zhvillimit të tyre profesional.

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror (ASCK) krijuar më 2008, ka menaxhuar dhe mbështetur zhvillimin profesional në sektorin e kujdesit shëndetësor përmes krijimit dhe stimulimit të standardeve në fushën e edukimit të vazhdueshëm dhe koordinimit të programit të ricertifikimit, me qëllimin përfundimtar përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor në Shqipëri. Në vijim të sigurimit të standardeve dhe cilësisë së tyre, me VKM nr. 440, datë 27.5. 2017, qeveria shqiptare miratoi që këto aktivitete të realizohen nga ofrues të akredituar.

Në kuadër të kësaj nisme UMT duke qenë pjesë e këtij zinxhiri synon të:

  • mbetet qendra më e rëndësishme akademike dhe kërkimore e shkencave mjekësore kombëtare
  • krijoje qendër kyçe në promovimin dhe zhvillimin e edukimit në vazhdim në përputhje kjo edhe me Direktivën 2005/36/Ec Of BE 1, Strategjinë e BE 2, Strategjia e Ministrisë së Shëndetësisë 2016-2020 3, Strategjinë e UMT

Edukimi në vazhdim në rrjetin shëndetësor është në përputhje me misionin dhe vizionin si dhe strategjinë e zhvillimit të UMT-së i cili synon jo vetëm ofrimin e punonjësve profesionistë në përfundim të edukimit të tyre universitar për sistemin shëndetësor, por dhe promovimin dhe ofrimin e edukimit të punonjësve të sektorit shëndetësor gjatë gjithë jetës së tij, siç është edukimi në vazhdim dhe të të mësuarit gjatë gjithë jetës.