Këshilli i Etikës

Është organ drejtues në UMT dhe në rastet e parashikuara në Rregullore edhe në njësitë përbërëse të tij.
Këshilli ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë me iniciativë informacione nga personeli akademik, ndihmës mësimor – shkencor dhe administrativ dhe njësitë përbërëse të UMT-së përveç Senatit Akademik, Rektorit dhe KADM-it, si dhe hallkave paralelele dhe këshillat e studentëve lidhur me respektimin e kërkesave të moralit dhe të etikës në realizim të funksioneve e detyrave të secilit.
Për rastet dhe mënyrën e verifikimeve në organe drejtuese të UMT-së dhe bashkëpunimit me individë, organe dhe institucione jashtë tij. Këshilli i Etikës duhet të marrë miratimin e Senatit Akademik. Në pamundësi, të marrë miratimin e Rektorit, i cili kërkon miratimin për këtë në mbledhjen më të parë, në të kundërt, konstatimet janë të pavlefshme.
Këshilli i Etikës ia paraqet konstatimet e tij Rektorit me rekomandimet përkatëse.
Kur konstatimet lidhen me personelin akademik dhe kur është marrë miratimi për verifikim, Rektori vë në dijeni Senatin Akademik.

Anëtarët e Këshillit të Etikës emërohen nga Senati Akademik prej personelit akademik sipas propozimeve të Rektorit. Këshilli i Etikës përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë. 4 (katër) anëtarë janë personel akademik dhe 1 (një) anëtar përcaktohet nga Rektorati. Këshilli i Etikës zgjedh kryetarin e tij dhe i propozon Senatit Akademik për miratim Kodin e Etikës të UMT-së.
Mënyra e shqyrtimit të ankesave, vendimet, sanksionet përkatëse dhe ekzekutimi i këtyre vendimeve parashikohen në rregulloren e tij.

Referencë: Statuti i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Nenet 24 dhe 25, miratuar nga Senati Akademik, më datë 07.06.2013. Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik Nr.23, datë 19.03.2016 “Për miratimin e disa ndryshimeve në Statutin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, Miratuar me Shkresën e Ministrit të Arsimit dhe Sportit Nr.2834 Prot., datë 29.03.2016 “Miratimi i ndryshimeve të Statutit”