Historiku i fakultetit

Në vitin 1959, pranë Fakultetit të Mjekësisë, u krijua Dega e Stomatologjisë. Ajo ishte përfaqësuar nga tre pedagogë të brendshëm: Dr. Dhori Pojani, Dr. Osman Hoxha, Dr. Dhimitra Lira dhe disa pedagogë të jashtëm: Dr. Xhevdet Asllani dhe Dr. Skënder Topulli. Në vitin 1964, kjo degë u organizua në tre katedra të veçanta: Katedra e Terapisë, e Kirurgjisë dhe e Ortopedisë Stomatologjike.

Katedra e Terapisë Stomatologjike, nga viti 1964 deri më vitin 1979, u drejtua nga Doc. Xhevdet Asllani. Më pas nga viti 1979 deri në vitin 2000 u drejtua nga Prof. Pavli Kongo.

Katedra e Kirurgjisë u drejtua fillimisht nga Prof. Dhori Pojani dhe më pas nga Prof. Samedin Gjini. Që prej vitit 2000 drejtohet nga Prof. Ramazan Isufi.

Katedra e Ortopedisë Stomatologjike u drejtua nga Doc. Osman Hoxha, më pas vazhdoi të drejtohet nga Prof. Foto Toti dhe nga Prof. Ruzhdie Qafmolla.

Në vitin 1998 të treja këto katedra u bashkuan duke formuar një Departament të vetëm. Shef i  parë i këtij Departamenti u zgjodh Prof. Samedin Gjini. Kjo mënyrë organizimi vazhdoi deri në vitet 2011, kur, si rezultat i shpërbërjes së tij u krijuan tre seksione përkatëse me shërbimet reciproke në funksion të Departamenteve të: Terapisë, Kirurgjisë Oro-Maxillo-Faciale dhe Ortopedisë Stomatologjike. Të treja këto shërbime u përmblodhën në Njësinë Bazë të Stomatologjisë e drejtuar nga një koordinator i vetëm, Prof. Ruzhdie Qafmolla.

Fakulteti i Mjekësisë Dentare u krijua si strukturë e re, pjesë e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në bazë të VKM Nr.43, datë 23.01.2013, duke u shkëputur nga Fakulteti i Mjekësisë. Dekanët e FMD ndër vite kanë qenë: Prof. Ruzhdie Qafmolla (2013-2014), Prof. Fejzi Keraj (2014-2016). Nga viti 2016 e në vazhdim është Prof.Asc. Edit Xhajanka dhe zv.Dekane Prof. Xhina Mulo. Fakulteti i Mjekësisë Dentare ka në strukturën e tij 3 departamente: Departamentin e Terapisë Stomatologjike, me përgjegjës Prof.Asc. Dorjan Hysi; Departamentin e Kirurgjisë OMF dhe Paraklinike, me përgjegjës Prof. Ramazan Isufi; dhe Departamentin e Ortopedisë Stomatologjike, me përgjegjës Prof.Asc. Çeljana Toti.

Misioni i FMD-së:

Edukimin e studentëve në të tre ciklet e studimit konform standarteve më të larta profesionale; Përgatitjen e gjithanshme teorike-praktike të profesionistëve stomatologë, të aftë që të praktikojnë kujdesin optimal ndaj pacientit, të përballojnë kërkesat gjithmonë në rritje të sistemit tonë mjekësor në përgjithësi dhe të sistemit stomatologjik në veçanti; përgatitjen e profesionistëve stomatologë që të synojnë parandalimin dhe trajtimin e patologjive dentare; arritjen e standarteve të larta në kujdesin shëndetësor si dhe stimulimin për të promovuar dhe për të çuar përpara kërkimin shkencor.

Departamenti i Terapisë Stomatologjike

Terapia stomatologjike në vitin 1959 ishte përfshirë në një katedër të vetme në të gjithë Sistemin e Stomatologjisë. Ardhja e pedagogëve të rinj: Dr. Zenel Kokomiri, Dr. Vasil Cakuli dhe Dr. Pano Lulo, bëri që në vitin 1964 të formohet katedra e “Terapisë Stomatologjike”, e drejtuar deri në vitin 1979 nga Docent Xhevdet Asllani. Nga viti 1979 deri në vitet 2000, kjo katedër u drejtua nga Prof. Pavli Kongo. Pas këtij viti kjo katedër u shkri si dhe funksionoi si seksion i drejtuar nga Prof. Pavli Kongo. Nga viti 2004, Shërbimi i Terapisë Stomatologjike, u drejtua nga Prof. Diana Brovina dhe më pas nga Prof. Lindita Xhemnica (Rusi).

Pedagogët efektivë të shërbimit të Terapisë Stomatologjike nga viti 1964 dhe deri më tani janë si më poshtë: Docent  Xhevdet Asllani, Dr. Shk. Zenel Kokomiri, Dr. Vasil Cakuli, Prof. Pavli Kongo, Prof. Diana Brovina, Dr. Shk. Trëndelina Fico, Dr. Qemal Jashari, Dr. Pajo Shyti, Dr. Shk. Qemal Jashari, Dr. Shazie Krifca, Prof. Lindita Xhemnica, Prof. Adem Alushi, Prof. Ass. Besnik Gavazi, Prof. Rozarka Budina, Dr. Dorina Sulo, Prof.Ass. Ardita Aliko, Prof.Ass.Etleva Droboniku, Prof.Ass.Dorian Hysi, Dr. Enida Petro.

Aktualisht, në këtë departament përfshihen lëndë paraklinike dhe klinike të rëndësishme si: Terapi Paraklinike, Dentistri Preventive, Dentistri Konservative, Dentistri në Komunitet, Endodonti, Periodontologji, Mjekësi Orale dhe Dentistri Pediatrike.  Këto lëndë zhvillohen në ciklin e integruar të studimit (Master në Stomatologji) nga viti i II-të deri në vitin e V-të.

Ky departament ofron edhe ciklin e tretë të studimeve pasuniversitare në “Dentistri Pediatrike” dhe studimet e Doktoraturës. Stafi akademik përbëhet nga 7 pedagogë me kohë të plotë, 18 Pedagogë me kohë të pjesshme dhe një laborant mësimor.

Procesi mësimor përfshin pjesën teorike dhe klinike, e cila zhvillohet në bashkëpunim me Klinikën Stomatologjike Universitare dhe me stafin ndihmës të saj, të përbërë nga mjekë ordinatorë dhe infermierë.

Specializimet pasuniversitare në këtë shërbim kanë filluar nga vitet 1968 dhe kanë vazhduar deri më 1990, për të rifilluar përsëri në vitet 2003, duke u hapur kurse specializimi në çdo dy vite. Nga viti 2003 e në vazhdim numri i specialistëve në këtë degë të rëndësishme të stomatologjisë ka ardhur në rritje dhe në total janë specializuar mbi 50 mjekë stomatologë nga të gjitha rrethet e vendit në specialitetet “Terapi dhe Endodonti Sstomatologjike”, ndërsa në “Pedodonti” janë specializuar rreth 20 mjekë stomatologë.

Veprimtaria botuese: Nga stafi i pedagogëve të Departamentit të “Terapisë Stomatologjike” që nga viti 2002 e deri më sot janë botuar afro 200 artikuj shkencore në Revistën Stomatologjike Shqiptare, Revistën Apollonia (Shkup), Revistën Stomatologjike Ballkanike, si dhe në revista të tjera me faktor impakti të ndryshëm.

Veprimtaria kërkimore –shkencore: Kjo veprimtari ka filluar në vitet 1969. Si bazë e saj në shërbimin e Terapisë Stomatologjike kanë shërbyer projektet e doktoraturave të realizuara në mbrojtjen e temave nga pedagogët e lartpërmendur. Më të spikatura janë punimet dhe praktikat e zbatuara në metodën e kondensimit lateral, mjekimi i periodontiteve apikale kronike me drenim apikal etj. Në vitet e fundit është realizuar projekti në lidhje me aplikimet e fluorit në parandalimin e kariesit dentar. Ky projekt u mbështet nga Banka Botërore, Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë, duke patur një ndikim kombëtar në të ardhmen e afërt në brezin 0-18 vjeç. Nënspecialiete të tjera të Departamentit të Terapisë Stomatologjike si: Periodontologjia, Endodontia dhe Sëmundjet Patologjike Orale, Mjekësia Orale, kanë zbatuar në praktikën klinike një sërë metodash të reja të trajtimit si mjekimi i periodontiteve apikale kronike, aplikimi citologjik dhe trajtimet endodontike të fëmijët dhe adultët. Studimet kërkimore shkencore në këtë departament janë të karakterit epidemiologjik, kreativo-profilaktik dhe estetik.

Departamenti i Kirurgjisë OMF dhe Paraklinike

Katedra e Kirurgjisë Stomatologjike është formuar në vitin 1964 dhe deri në vitin 1989 është drejtuar nga Prof.Dhori Pojani. Nga viti 1989 deri në vitin 2000, kjo katedër është drejtuar nga Prof.Samedin Gjini . Nga viti 2000 deri në ditët e sotme, është drejtuar dhe vazhdon të drejtohet nga Prof.Ramazan Isufi.

Ky departament ka funksionuar në bazë të dy drejtimeve kryesore :

  1. Shërbimi Spitalor në kuadrin e QSUT “Nënë Tereza”
  2. Shërbimi ambulator në kuadrin e Klinikës Stomatologjike Universitare

Pedagoget efektivë të këtij Departamenti në vite kanë qenë si më poshtë : Prof. Dhori Pojani, Prof. Samedin Gjini, Dr.Shk. Ago Shameti, Prof. Ramazan Isufi, Dr.Andis Qendro, Dr. Esat Bardhoshi, Prof.Asc. Merita Bardhoshi, Dr.Shk. Fatmir Leli, Dr.Shk. Aldo Vangjeli, Dr.Shk. Rozela Xhemnica, Dr.Shk. Alketa Qafmolla, Dr.Shk. Silvana Bara. Përveç pedagogëve efektivë procesi mësimor është realizuar dhe nga disa pedagogë të jashtëm.

Në këtë Departament aktualisht përfshihen lëndë paraklinike dhe klinike, të cilat zhvillohen në të gjitha ciklet e studimit të Fakultetit të Mjekësisë Dentare si dhe të Fakultetit të Mjekësisë.

Stafi akademik i këtij Departamenti përbëhet nga 9 pedagogë të brendshëm dhe 5 pedagogë të jashtëm. Procesi mësimor realizohet nëpërmjet përvetësimit të pjesës teorike dhe asaj praktike. Pjesa praktike realizohet në Klinikën Stomatologjike Universitare si dhe në Spitalin Francez QSUT “Nënë Tereza”, pa përjashtuar stafin ndihmës të tyre të përbërë nga mjekë ordinatorë si dhe personel infermieror.

Specializimet post universitare në këtë Departament kanë filluar që në vitin 1971, duke nxjerrë rreth 100 specialistë të kësaj fushe, megjithë stafin e pamjaftueshëm në vite të këtij Departamenti.

Për sa i përket aktivitetit spitalor, në vitin 1964 ky shërbim ishte bashkë me shërbimin  e ORL me 10 shtretër. Pas viteve ‘70 ky shërbim ka funksionuar i pavarur dhe ka ardhur duke u rritur deri në ditët e sotme ku, falë përkushtimit të stafit të tij, ka arritur të realizojë ndërhyrje operatore të rangut Europian si për sa i përket rikonstruksionit OMF, traumatologjisë, onkologjisë, ashtu edhe estetikës faciale. Në shërbimin spitalor një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë kirurgët: Prof. Dhori Pojani, Prof. Samedin Gjini, Dr.Shk. Ago Shameti, Prof.Asc. Gafur Shtino, Prof. Ramazan Isufi, Dr.Andis Qendro, Dr.Esat Bardhoshi, si dhe mjekët ordinatorë: Dr.Jakup Vrioni, Dr. Algen Isufi, Dr.Arlind Myftari.

Në shërbimin ambulator përveç pedagogëve efektivë dhe jo efektivë një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë dhe kirurgët e mëposhtëm: Dr.Shk. Isufi Kasapi, Dr.Shk. Zhani Qirko, Dr. Gaqo Qano, Dr. Bani Prifti, Dr. Haxhire Bajraktari,  Dr.Shk. Fatmir Leli, Prof.Asc. Merita Bardhoshi, Dr.Shk. Aldo Vangjeli, Dr.Shk. Alketa Qafmolla, Dr.Shk. Rozela Xhemnica, Dr.Shk.Silvana Bare, si dhe disa mjekë ordinatorë të rinj pranë kësaj Klinikës Stomatologjike Universitare.

Falë punës së palodhur të stafit të Kirurgjisë spitalore, të drejtuar nga Prof. Ramazan Isufi dhe aktualisht Dr.Andis Qendro, si dhe të stafit ambulatory, me përkushtimin e Prof.Asc. Merita Bardhoshi është arritur futja e metodave të reja të Kirurgjisë OMF, duke përmirësuar shërbimin ndaj pacientit.

Gjithashtu, nga shërbimi spitalor dhe ambulator mbulohet urgjenca ditore dhe 24 orëshe në sferën e kësaj kirurgjie.

Në zhvillimin e Kirurgjisë OMF Shqiptare kanë një kontribut të çmuar dhe mjaft specialistë në rrethe të ndryshme si: Dr.Abdulla Bilali në Shkodër; Dr.Lluke Gjidede në Vlorë; Dr.Sulo Shehu në Fier; Dr.Spiro Bimli në Korçë; Dr. Kujtim Lika, Dr. Kapllan Mançe dhe Dr.Florian Bllaca në Durrës.

Veprimatria Botuese

Pas viteve 2000 nga ky staf janë realizuar mbi 100 referime në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu janë botuar mbi 100 artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit si më poshtë: Revista Stomatologjike Shqiptare, Revista Apollonia, Revista Stomatologjike Ballkanike, Revista e Kirurgjisë OMF Shqiptare si dhe në disa revista me faktorë të ndryshëm impakti.

Nga stafi akademik i këtij Departamenti janë botuar disa tekste bazë për studentët dhe specializantët e Fakultetit të Mjekësise Dentare dhe të Fakultetit të Mjekësisë: Kirurgjia Maksilofaciale, Kirurgjia OMF – 2(dy) vëllime; Implantologjia Orale; Atlasi i Kirurgjisë OMF; si dhe revista e Kirurgjisë OMF Shqiptare.

Veprimtaria Kërkimore Shkencore

Kjo veprimtari e ka zanafillën në vitet ’70, ku filluan të realizoheshin doktoraturat e para në topika të ndryshme të kësaj fushe si më poshtë: Në korrigjimin e defekteve të lindura të buzës dhe të qiellzës, në trajtimin e gjendrave të pështymës, në onkologji, traumatologji, kistat e nofullave , infeksionet OMF, implantologjinë orale etj. Kjo veprimtari është në vazhdim e sipër dhe një numër doktoraturash janë në fazat përfundimtare të tyre.

Departamenti i Kirurgjisë OMF ka përgatitur  3 Profesorë , 2 Profesorë të Asociuar, mbi 15 Doktorë Shkencash dhe me dhjetra Mastera e specializantë.

Departamenti i Ortopedisë Stomatologjike

Ky shërbim e ka zanafillën e tij në vitet 1959 në një katedër të përbashkët. Në vitin 1964, u formua si katedër e veçantë me drejtues Docent Osman Hoxhën, i cili drejtoi këtë katedër deri në vitin 1973. Drejtuesit e mëpasëm të kësaj katedre kanë qenë: Docente Dhimitra Lira (1973-1976); Prof. Foto Toti (1976-2000); Prof. Ruzhdie Qafmolla (2000-2014). Nga viti 2014-2016, u emërua si përgjegjëse e Departamentit të Ortopedisë, Prof.Asc.Çeljana Toti, e cila u zgjodh në të njëjtin post më 2016. Nga vitet 1964 e deri më sot pedagogë të këtij departamenti kanë qenë punonjësit e mëposhtëm: Docent Osman Hoxha, Dr. Pano Lulo, D.Shk. Dhimitra Lira, Docente Budie Sina, Dr. Pandi Thano, Prof. Foto Toti, Prof. Ass. Hajrulla Muça, Prof. Ruzhdie Qafmolla, Dr. Beniamin  Domi, Dr.Shk.Afërdita Basha, Prof. Fejzi Keraj, Prof. Vergjini Mulo, Prof.Asc. Edit Xhajanka, Dr.Shk. Koço Gjilo, Prof.Asc.Çeljana Toti, Dr.Shk. Gerta Kaçani, Dr.Shk. Kreshnik Keraj.

Departamenti i Ortopedisë sot funksionon në bazë të dy seksioneve: a] paraklinik; dhe b] klinik.

Specializimet e këtij shërbimi, kanë filluar nga vitet 1968 dhe vazhdojnë deri tani, me një ndërprerje në vitet 1985. Ky department, në bashkëpunim me drejtorinë e arsimit të lartë, po përgatit standartet sipas KE për hapjen e specializimeve në shërbimin protetikë-ortododonci.

Veprimtaria botuese: Nga pedagogët e specialitetit të protetikës dhe ortodoncisë si dhe ordinatorët e saj është bërë një punë e mirë në drejtim të botimit të artikujve shkencorë, numri i të cilëve nga viti 2002 e deri më tani është rreth 80. Këta artikuj janë botuar në Revistën Stomatologjike Shqiptare, në buletinët e shkencave mjekësore, në revistën Stomatologjike Ballkanike si dhe në Buletinin e Urdhërit të Mjekut të Shqipërisë.

Struktura akademike e programeve të studimit në FMD  konsiderohet e konsoliduar. Studimet pranë FMD janë të organizuara në këtë mënyrë:

  1. Cikël i integruar i nivelit të dytë, me kohëzgjatje 5 vite, në përfundim të të cilit, studenti fiton  Diplomën  “Master i Shkencave në Stomatologji”. Pranë Fakultetit të Mjekësisë Dentare aktualisht studiojnë 668 studentë.
  2. Programet e specializimeve afatgjata, të ciklit të tretë të studimeve, në fushën e mjekësisë dentare (kohëzgjatja 2 dhe 4 vjet). Në Fakultetin e Mjekësisë Dentare studiojnë specializantë, të organizuar në 2 shkolla (programe) specializimi. Pedodonti në Departamentin  e Terapisë,  me kohëzgjatje 2 vjet dhe Kirurgji Maksilofaciale në Departamentin e Kirurgjisë OMF dhe Paraklinikë, me kohëzgjatje 4 vjet, ku realizohen orët sipas kurrikulës të miratuar.
  3. Niveli i tretë i studimeve doktoratë. Në programin e Doktoraturës kanë kryer mbrojtje doktorature një numër i konsiderueshëm doktorantësh ndër vite.