Marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me qëllim përfshirjen e Qendrës Shëndetësore Nr. 10, e cila prej një viti funksionon si Qendër e Mjekësisë Familjare, në rrjetin e praktikës profesionale për specializantët e Mjekësisë së Familjes.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të komponentit praktik në procesin e formimit të specializantëve, duke forcuar lidhjen ndërmjet arsimit të lartë mjekësor dhe praktikës klinike në kujdesin parësor. Specializantët do të kenë mundësinë të përfshihen në mënyrë aktive në një model shërbimi të integruar dhe të orientuar drejt pacientit, duke kontribuar në ofrimin e një kujdesi më cilësor dhe më të afërt me komunitetin.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, u shpreh se:
“Kjo marrëveshje është një ndërmarrje strategjike në funksion të përgatitjes së studentëve tanë si profesionistë të aftë për të përmbushur rolin kyç të mjekut të familjes në sistemin shëndetësor.
Ajo pasqyron përkushtimin tonë për një arsim mjekësor bashkëkohor, të ndërlidhur ngushtë me nevojat e shoqërisë.”
Ky model bashkëpunimi do të zgjerohet së shpejti edhe në qendra shëndetësore të tjera të vendit, duke garantuar një qasje më të qëndrueshme dhe të personalizuar ndaj shëndetit të çdo qytetari.