CEREMONIA E NDARJES SË ÇMIMEVE TË KAMPIONATIT STUDENTOR TË FUTBOLLIT DHE VOLEJBOLLIT NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË
Ditën e premte, më datë 24 Prill, në ambjentet e Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u zhvillua Ceremonia e ndarjes së çmimeve të para dhe medaljeve të Kampionateve Studentore të Futbollit dhe Volejbollit, të organizuar në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, Kancelari i UMT-së Z. Mirjel Dollani, Kryetari i Këshillit Studentor të UMT-së Z. Gentjan Asllanaj, si dhe të gjithë studentët fitues të dy aktiviteteve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari vlerësoi frymën unike që aktivitetet e tilla sportive sjellin mes grupeve studentore dhe përgëzoi pjesëmarrjen e të rinjve për të zhvilluar një jetë aktive. “Mjekësia dhe sporti janë dy shërues universalë”, tha Rektori Refatllari. “Këto çaste janë kujtime të bukura që mbeten në vite dhe ju përgëzoj, jo vetëm si fitues të këtyre dy kampionateve, por edhe si promovues të aktiviteteve sportive”.
Kampionati Studentor i Futbollit dhe ai i Volejbollit janë pjesë e aktiviteteve të përvitshme, të cilat organizohen në mini-turne nga Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë me mbështetjen e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Në këto aktivitete sportive marrin pjesë studentë të apasionuar pas këtyre dy sporteve, të cilët ndahen në skuadra përfaqësuese. Kjo ceremoni vijon me sukses ciklin e aktiviteteve sportive që promovohen nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Përditësimi i fundit: 27.04.2015