AKTIVITET MBI DITËN BOTËRORE TË ZGJEDHJEVE
Në kuadër të nismës për të celebruar Ditën Botërore të Zgjedhjeve në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë (UMT), organizon për të tretin vit radhazi “Konferencën Botërore të Zyrtareve Zgjedhorë”, më datë 2 shkurt 2017.
Ky aktivitet mbledh personalitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në një ditë të hapur (open day) në ambientet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme. Në këtë aktivitet do të mbahet një leksion i hapur nga Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Denar Biba që do të zhvillohet në orën 13:00 për studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
KQZ përmes programeve dhe veprimtarive të ndryshme synon të forcojë kulturën zgjedhore tek të gjithë shtetasit, duke u fokusuar veçanërisht tek të rinjtë për t’i sensibilizuar ata për rëndësinë, vlerën dhe forcën e votës në proceset demokratike të vendit. Takimet me të rinjtë, bashkëbisedimi me ta, janë një nga format më eficente për edukimin zgjedhor të tyre, për të ndikuar në zbehjen e fenomeneve negative si mospjesëmarrja në votime, ndikimi i vullnetit apo votimi familjar.
Dita Botërore e Zgjedhjeve është caktuar të jetë e enjtja e parë e çdo shkurti, vendosur kjo nga “Konferenca Botërore e Zyrtareve Zgjedhore”, mbajtur ne vitin 2005. Veprimtaritë për edukimin zgjedhor që KQZ organizon në Ditën Botërore të Zgjedhjeve, marrin një simbolikë të veçantë, në kontekst edhe të rëndësisë së kësaj dite.
Ftohen studentët dhe stafi akademik i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë që kanë dëshirë të marrin pjesë në këtë aktivitet.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Publikuar më 01.02.2017