CEREMONIA “50 VJET MJEK – 1966-2016”
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë ka nderin dhe kënaqësinë të informojë se ditën e mërkurë, më datë 08 Qershor 2016, në Sallën e “Profesorëve” të Rektoratit, u zhvillua Ceremonia “50 vjet mjek – 1966-2016” me rastin e 50 vjetorit të të Diplomuarve të Parë të viteve 1961-1966 në Degët Mjekësi dhe Stomatologji në Fakultetin e Mjekësisë. Kjo ceremoni është një vlerësim dhe nderim që Universiteti i Mjekësisë, Tiranë iu bën profesionistëve të parë të shëndetit, të përgatitur në auditorët e tij, në kuadër të kontributit të tyre të madh në Mjekësinë Shqiptare.
Në këtë ceremoni brezi i të diplomuarve të vitit 1966 u dekorua me Urdhrin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishani me motivacionin: “Për kontributin e tyre pesëdhjetëvjeçar dhënë me ndërgjegje, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, në drejtim të përsosjes së shërbimit mjekësor në Shqipëri, duke realizuar shtrirjen e tij nëpër fshatra, si dhe duke u kushtuar përparësi profilaksisë dhe parandalimit të sëmundjeve”. Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata shprehu falënderimet e sinqerta për punën dhe kontributin e tyre në zhvillimin e Mjekësisë Shqiptare. Ai vlerësoi, jo vetëm kontributin e tyre, por edhe angazhimin e plotë në shërbim të mjekësisë, pavarësisht vështirësive të kohës së tyre, për të shërbyer si mjekë dhe mentorë të denjë të mjekëve shqiptarë pasardhës. Ish-studentët e Fakultetit të Mjekësisë, mes tyre dhe mjaft personalitete të njohura të mjekësinë shqiptare, u mblodhën përsëri së bashku pas 50 vitesh për të kujtuar arritjet dhe punën e tyre të palodhshme shumëvjeçare në shërbim të shoqërisë shqiptare. Nga 253 studentë që filluan kursin në vitin 1961 në atë kohë, vetëm 147 arritën të diplomoheshin, të cilët më pas u bën mjekë ose pedagogë të njohur në fushat e mjekësisë.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Publikuar më 13.06.2016