Gjenetika e së mirës.
Jemi mësuar gjithmonë ta trajtojmë gjenetikën si degë të biologjisë që studion zhvillimin e organizmave nga pikëpamja e trashëgimisë së tipareve dhe e ndryshimit të tyre. Sot me ndarjen nga jeta të Prof. Maks Cikulit e trajtojmë gjenetikën me qëllim për të identifikuar prejardhjen dhe zhvillimin e së mirës.
Figura e Prof. Maks Cikulit në historikun e mjekësisë shqiptare nuk identifikohet veçse me gjenetikën, por paralelisht edhe me virtytin e një njeriu me dinjitet të admirueshëm profesional dhe njerëzor.
Gjenetika e së mirës do të na shpjerë larg në janarin e vitit 1952 në qytetin e Korçës, në vendlindjen e Prof. Maks Cikulit.
Thonë se shkrimtarët kanë gjithmonë një admirim të heshtur për mjekët, pasi sipas tyre, puna e një mjeku e prek jetën njerëzore në thellësi të paimagjinueshme dhe ka një forcë shëruese që shpeshherë prek hyjnoren. E ndoshta mjeku dhe shkrimtari Zisa Cikuli, babai i Prof. Maks Cikulit, do ta ketë ndierë këtë admirim teksa e ka parë të birin të diplomohej në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1974.
Viti 1974 do të shënonte për Prof. Maks Cikulin fillimin e një karriere të gjatë, që do të niste si mjek i përgjithshëm në Minierën e Bakrit në Gjegjan dhe do të vijonte me specializime pasuniversitare në Francë në universitetin “Paris V”.
Viti 1984 do ta gjente Prof. Maks Cikulin pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë për lëndën e Gjenetikës.
Aktiviteti i tij shkencor do të konkretizohej me hartimin e teksteve mësimore për studentë t dhe dhjetra artikuj në shtypin shqiptar dhe të huaj.
Viti 1994 do ta na prezantonte me profilin politik të Prof. Maks Cikulit, dhe me emërimin e tij si Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit . Nga viti 1996 deri në vitin 2001 Prof. Maks Cikuli do të ishte deputet i Partisë Demokratike në dy legjislatura.
E gjithë karriera dhe aktiviteti i Prof. Maks Cikulit mund të përmblidhet shkurtimisht në një togfjalësh të vetëm : Gjenetika e së mirës.
Universiteti i Mjekësisë, u shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe kolegëve.