Inagurimi i statujës Semmelweis
U zhvillua dje në ambjentet e Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë inagurimi i statujës së Dr. Ignác Semmelweis, si simbol i marrëdhënieve të ngushta dhe të frutshme midis Shqipërisë dhe Hungarisë.
Dr. Ignác Semmelweis lindi në vitin 1818 në Buda, Hungari dhe shtëpia e tij sot është muze. Ishte Doktor i Shkencave Mjekësore dhe Kirurgjisë, Profesor në Obstetrikë në Universitetin Mjekësor Mbretëror Hungarez Pest dhe është konsideruar si “Shpëtimtari i nënave dhe të porsalindurve” dhe themeluesi i kirurgjisë aseptike. Vepra e plotë e Semmelweis në lidhje me zbulimin e parandalimit aseptik të etheve puerperale, u shtua në Librin Përkujtimor të Trashëgimisë Botërore të UNESCO në vitin 2013.
Semmelweis është ndër 12 shkencëtarët më inovativë në historinë e mjekësisë, statujat e të cilëve qëndrojnë të ekspozuara në Muzeun e Çikagos.
Është një përgjegjësi morale dhe profesionale e jona t’u tregojmë brezave të rinj për kontributin e rëndësishëm të personaliteteve të tilla sikurse Dr. Semmelweis, që kanë lënë gjurmë në Mjekësinë mbarëbotërore.
Kjo statujë vjen si një dhuratë e çmuar e Komitetit Përkujtimor të figurës së Semmelweis, dhe u realizua me kontributin e veçantë të Kryetarit të këtij Komiteti, Prof. Lasźlo Rosivall, Nefrolog me famë Botërore, pjesë e stafit të Universitetit Semmelweis të Budapestit, me të cilin Universiteti ynë nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi në Tetor 2021.
Statuja është një kryevepër unike e gdhendur nga një prej skulptorëve të njohur Hungarezë, Ádám Győrfi. Informacioni mbi piedestal është i shkruar në Shqip, Hungarisht dhe Anglisht.
Një kontribut special në arritjen e statujës pranë Universitetit tonë dhanë Ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, Shkelqësia e Tij Z. Lóránt Balla, Konsulli i Ambasadës Dr. Antal Kulcsár dhe stafi i Ambasadës së Hungarisë.