Një ditë e dhimbshme për Mjekësinë shqiptare. Shuhet nga jeta në moshën 81 vjeçare, mjeku i njohur Polikron Çela.
Pediatria është jeta ime do të shprehej doktor Polikron Çela.
Për të kujtuar dhe nderuar këtë Personalitet, shfaqim rrëfimin që Doktor. Polikron Çela ka bërë lidhur me jetën e tij dhe dashurinë e përjetshme për Pediatrinë
“ Atë që sjell rastësia, nuk e sjell asgjë. Im atë ishte jashtëzakonisht i dhënë pas shkollës. Ndaj personit të parë që ia di për nder që iu futa kësaj rruge, është babai im. Në fëmijëri as që e kisha menduar të merresha me mjekësi. Fillimisht m’u dha mundësia të shkoja në shkollë pedagogjike, por nuk e pranova. Një ditë i thonë babait se kishte ardhur një bursë për mjekësi. “Sikur të çojmë atë djalin tënd”. Dhe shkova në shkollë mjekësore. Mbarova shkëlqyer, atëherë nuk kishte miq. Bëhet fjalë për vitet ‘52-‘53. Shteti atëherë (që ne e kritikojmë) ngaqë nuk kishte mjekë, përgatiti ndihmësmjekë. Një shkollë për ta pasur zili edhe sot.
Mbas mbarimit të shkollës së mesme mjekësore, u emërova në spitalin e Elbasanit, ku pata fatin të punoj me doktor Xhomon, një patolog me aftësi të veçanta.
Nuk vazhdoi gjatë dhe një ditë më njoftuan të shkoj në Librazhd, për të zëvendësuar një ndihmësmjek (shokun tim Dhimitër Xhuvani, shkrimtarin e ardhshëm) që kryente detyrën e mjekut. Kujdesesha për Librazhdin që nga Gurakuqi e deri në kufi me Pogradecin.
Përfytyroni një djalë 19-vjeçar me një përgjegjësi të tillë. Më pas u ktheva në Elbasan, por gjithmonë mjek i përgjithshëm. Për rastësi vjen një pediatër rumun. Atëherë më thanë që të flisja me të. Flisnim rusisht. Aty më lindi dëshira për t’u bërë pediatër. Pashë se ç’do të thotë të merresh me fëmijët, pashë se si rriteshin ata.
Mbarova Fakultetin e Mjekësisë me rezultate shumë të mira dhe u emërova direkt pedagog në katedrën e Farmakologjisë, ku punova me përkushtim, por pa hequr dorë nga fëmijët. Mbas shumë përpjekjesh për të kaluar në katedrën e pediatrisë, së fundi takova rektorin e universitetit. Iu luta të më transferonte në katedrën që kërkoja ose të më linte të lirë si pediatër në çdo vend. E pa që e kisha me pasion dhe më tha se kjo gjë e bëri të ndryshonte mendje. Thirri sekretaren dhe e porositi të ndiqte problemin tim. Kështu kalova përkohësisht pediatër në Tiranë. Kaloi rreth 1 ½, vjet dhe një ditë u njoftova se katedra e pediatrisë se më kishin pranuar pedagog. Ky burrë (i njohur për vyrtytet e tij), i cili e ndryshoi ecurinë e jetës sime, ishte Karahman Ylli.
Si pedagog e pediatër pata rastin të interesohem e të ngre shërbimin e Nefrologjisë dhe më vonë u specializova jashtë shtetit në këtë fushë. Mbas kthimit u emërova drejtor i spitalit të fëmijëve. Krahas kësaj detyre (në një periudhë të vështirë), vura në jetë gjithçka kisha mësuar, botova 5 libra dhe vazhdova emisionet javore në radio (të filluara në vitin 1965), mandej prej vitit 1970 edhe në radio e TVSH, emisione që i vazhdova pa asnjë shkëputje dhe në disa radio e televizione.
Gjatë kësaj kohe kam botuar me dhjetëra artikuj dhe 11 libra, sa profesionale, dhe shkencore. Sigurisht, të gjitha këto janë bërë me sakrifica.’’
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë shpreh ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe dashamirësit e këtij personaliteti të papërsëritshëm në historinë e Mjekësisë Shqiptare .