Bazuar në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, neni 79 “Punësimi i personelit administrativ”, në Statutin e UMT-së, në nenin 62 të Rregullores së Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në Vendimin e Bordit të Administrimit të UMT-së nr. 63, datë 08.10.2021“Për miratimin e kritereve të punësimit të personelit administrative të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, i ndryshuar, me Vendimin e Bordit të Administrimit nr. 26, datë 18.04.2024 Për “Disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Bordit të Administrimit nr. 63, datë 08.10.2021 “Për miratimin e kritereve të punësimit të personelit administrativ të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, si dhe në Urdhrin e Administratorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë me nr. 207, datë 17.10.2024“Për fillimin e procedurës së punësimit për pozicionin e punës “Specialist i Njësisë sëAuditimit të Brendshëm”, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë”shpall konkursin për vend të lirë pune, si më poshtë:
Fillimin e procedurës së punësimit për 1 (një) vend të lirë punë në pozicionin “Specialist i Njësisë së Auditimit të Brendshëm” në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë:
Përshkrimi përgjithësues i punës:
• Ushtron veprimtarinë në përputhje me parashikimet e Ligjit nr. 114/2015“Për auditimin e brendshëm në sektorin publik” i ndryshuar, Vendimin nr. 345, datë 01.06.2004 “Për miratimin e procedurave të auditimit”, Kodit të Etikës dhe Kartës së Auditimit të Brendshëm Publik;
• Kontrollon menaxhimin dhe përdorimin me efektivitet të fondeve dhe përmirësimin e veprimtarisë të UMT-së dhe njësive shpenzuese;
• Kryen auditime të përgjithshme për politikat dhe procedurat, kryen analiza sipas orientimeve;
• Përgatit raportet për auditimet e kryera.
Kandidatët për pozicionin e punës “Specialist i Njësisë së Auditimit të Brendshëm” në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, duhet të plotësojnë kriteret dhe të dorëzojnë dokumentacionin si më poshtë:
Kritere të përgjithshme:
1. Të jetë shtetas shqiptar;
2. Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
3. Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe kërkesat e tjera të posaçme për kategorinë, klasën, grupin dhe pozicionin përkatës;
4. Të kenë diplomë të arsimit të lartë të ciklit të dytë të studimeve në shkencat ekonomike, juridike dhe disiplina tjera, sipas nevojave të sektorit që auditohet;
5. Audituesi i Brendshëm duhet të ketë përvojë pune jo më pak se 3 vjet në profesion dhe të jetë i certifikuar si “Auditues i Brendshëm në sektorin publik”;
6. Nëpunësi civil ose punonjësi që punësohet në njësinë e auditimit të brendshëm dhe që nuk zotëron certifikatën si auditues i brendshëm, gjatë 3 vjetëve të parë punon nën mbikëqyrjen e drejtuesit të njësisë se Auditimit të Brendshëm ose të një audituesi të brendshëm të certifikuar dhe me eksperiencë. Brenda kësaj periudhe, ky punonjës i nënshtrohet detyrimisht procedurës së certifikimit si “Auditues i brendshëm në sektorin publik”; Në rast se brenda këtij afati nëpunësi civil ose punonjësi nuk certifikohet si “Auditues i brendshëm në sektorin publik”, i ndërpriten marrëdhëniet e punës, të cilat konsiderohen që janë ndërprerë për shkak të këtij ligji.
Kushtet:
1. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
2. Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse:
3. Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale me dashje;
4. Ndaj tij të mos jetë marrë ndonjë masë disiplinore për largimin nga detyra;
5. Të ketë vlerësime pozitive të përvojave të mëparshme të punës;
Dokumentacioni që duhet të paraqesin kandidati/ët:
1. Kërkesë me shkrim për aplikim;
2. Jetëshkrimin (CV), sipas formatit standard (europass);
3. Fotokopje të pasaportës ose kartës së identitetit;
4. Kopje e noterizuar e diplomës/diplomave dhe/ose njehsimin e tyre në MAS (për diplomat e marra jashtë vendit), bashkë me listë notash të noterizuara (për ciklet përkatëse të studimit, sipas rastit);
5. Kopje e librezës së punës së noterizuar (të gjitha faqet që vërtetojnë përvojën në punë);
6. Vërtetim i gjendjes shëndetësore të marrë brenda 3 (tri) muajve të fundit (raport mjekësor për aftësinë në punë);
7. Formular vetëdeklarimi sipas formës së kërkuar nga ligji nr. 138/2015;
8. Vërtetim i gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti) të marrë brenda tre muajve të fundit;
9. Vërtetim nga punëdhënës të mëparshëm, që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
10. Certifikatë / Dëshmi të noterizuar që vërtetojnë njohuritë kompjuterike në programet bazë;
11. Dëshmi të njohjes të gjuhës së huaj të noterizuar;
12. Referenca nga punëdhënës të mëparshëm, që provojnë vlerësimet pozitive në punë;
13. Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë apo të tjera të përmendura në jetëshkrim;
Mungesa e një prej dokumentacioneve të kërkuara më sipër, sjell skualifikim të kandidatit.
Dokumentacioni i dorëzuar nuk do të kthehet mbrapsht, pasi bëhet pjesë e arkivës së Institucionit.
Kandidatët e interesuar, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar origjinal ose të njësuar me origjinalin, të inventarizuar në zyrën e Protokoll – Arkiv, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, Adresa: Rruga e Dibrës, Nr. 371, 1005, Tiranë.
Afati i dorëzimi të dokumentacionit është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike me datën e shpalljes së njoftimit në Buletinin e APP-së.
Fusha e njohurive, aftësive dhe cilësitë të cilat do të zhvillohet intervista:
– Njohuritë mbi Ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në IAL në RSH”;
– Njohuritë mbi Ligjin nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
– Njohuri mbi ligjin nr. 114/2015, datë 22.10.2015 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”,
– Njohuri të akteve nënligjore në fuqi për fushën e auditimit.
Mënyra e vlerësimit:
Përzgjedhja e kandidatit fitues do të bëhet nëpërmjet konkurrimit me dosje dhe me intervista të drejtë për drejta.
Në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar, kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën.
Në lidhje me intervistën e punës kandidatët do të vlerësohen për njohuritë mbi legjislacionin e sipërcituar, aftësitë, kompetencat, eksperiencën e tyre të mëparshme, motivimin, aspiratat si dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Vlerësimi do të bëhet sipas formularit të vlerësimit të kandidatëve për personel administrativ i miratuar nga Bordi i Administrimit i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, sipas Vendimit nr. 63, datë 08.10.2021 i publikuar në faqen zyrtare www.umed.edu.al