PROF. DR. JERA KRUJA DEKOROHET NGA PRESIDENTI I REPUBLIKËS ME TITULLIN “MJESHTËR I MADH”

PROF. DR. JERA KRUJA DEKOROHET NGA PRESIDENTI I REPUBLIKËS ME TITULLIN “MJESHTËR I MADH”

 

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, ka nderin e veçantë të informojë se më datë 08 mars 2017, në ditën ndërkombëtare të gruas, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SHTZ. Bujar Nishani, dekoroi profesoreshën e nderuar të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe shkencëtaren e shquar të fushës së neurologjisë, Prof. Dr. Jera Kruja, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar prej disa dekadash si mjeke e shquar, si pedagoge e përkushtuar dhe e palodhur dhe si përfaqësuese dinjitoze e gruas intelektuale dhe shkencëtares shqiptare edhe në arenën ndërkombëtare”.

Prof. Dr. Jera Krujaështë një ndër personalitetet më të shquara të shkencës, mjekësisë, pedagogjisë dhe të kulturës shqiptare. Ajo mban pozicionin e Shefes së Shërbimit të Neurologjisë dhe prej më shumë se 30 vitesh është pedagoge e nderuar e lëndës së Neurologjisë në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, si dhe është mjeke neurologe, e cila shërben me përkushtim pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT).

Prof. Dr. Jera Kruja ishte Rektorja e parë e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, që nga krijimi i tij në vitin 2013 dhe deri në muajin mars të vitin 2014. Ajo krijoi figurën e femrës intelektuale që punon me përkushtim në pozicionin e vështirë të një rektori dhe punoi e kontribuoi me devotshmëri të lartë për krijimin e bazave dhe mbarëvajtjes së punës së një universiteti të ri, që është ndër më të rëndësishmit në vend. Që nga viti 2014, Prof. Dr. Jera Kruja është Përfaqësuesja e Kontinentit të Evropës në Federatën Botërore të Neurologjisë.  Gjithashtu, për vite me radhë, Prof. Kruja ka qenë Presidente e Shoqatës së Neurologjisë Shqiptare dhe është anëtare e Komitetit Shkencor të Shoqatës Evropiane të Neurologjisë.

Kontributi shkencor i Prof. Dr. Jera Krujës në fushën e mjekësisë dhe të neulologjisë në veçanti, ka vlera të veçanta për kombin tonë. Shkrimet shkencore të saj janë të publikuara në revistat më të njohura ndërkombëtare dhe gëzojnë një impakt të gjërë në sferën akademike botërore. Ajo është shëmbulli më i mirë i gruas së përkushtuar, e cila punon për një mjekësi të fortë, shkencore e të zhvilluar në nivelet bashkëkohore.

Dekorimi i Prof. Dr. Jera Krujës me titullin “Mjeshtër i Madh” është një vlerësim për punën e saj të palodhur profesionale dhe ekspertizën e lartë në shërbim të pacientëve, në fushën e mjekësisë, të pedagogjisë dhe të shkencës. Është një nder i madh për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, që ky personalitet i lartë jep kontribut të vyer në përgatitjen shkencore dhe didaktike të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë. 

 

                      REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 09.03.2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *