TAKIM SENSIBILIZUES NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË ME RASTIN E DITËS NDËRKOMBËTARE KUNDËR DUHANIT 2015
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Duhanit, 31 Majit, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) organizon një takim sensibilizues me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shëndetit Publik dhe Fakultetit të Farmacisë, ditën e Hënë, datë 25 Maj 2015, në orën 10:00, pranë Sallës Blu të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
Ky aktivitet është pjesë e takimeve sensibilizuese të ndërmarra nga Departamenti i Promocionit të Shëndetit i Institutit të Shëndetit Publik në kuadër të ndërgjegjësimit të popullatës në luftën kundër pirjes së duhanit. Aktivitetet sensibilizuese synojnë të udhëzojnë të gjithë popullatën shqiptare që të informohen për dëmet që shkakton pirja e duhanit dhe të ndërgjegjësojë ata që pinë duhan për të mos e konsumuar më atë. Në këtë takim studentët e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë do të kenë mundësinë të informohen më mirë mbi efektet dhe sëmundjet e ndryshme të cilat shfaqen dhe përforcohen përmes konsumimit të duhanit. Mjekët, farmacistët dhe specialistët e Shëndetit e së ardhmes do të jenë më të aftë të informojnë pacientët mbi dëmet reale që mund të shkaktohen nga duhani.
Dita Botërore Kundër Duhanit është shpallur në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të cilat u angazhuan në sensibilizimin e opinionit publik mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit dhe vendosën të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të tij. Për këtë arsye, në këtë ditë në të gjithë botën organizohen aktivitete sensibilizuese mbi luftën kundër duhanit.
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Përditësimi i fundit: 20.05.2015