TAKIMI NË KUADËR TË PROJEKTIT BIOSINT, TIRANË, 4-5 QERSHOR 2025

TAKIMI NË KUADËR TË PROJEKTIT BIOSINT, TIRANË, 4-5 QERSHOR 2025

Në datat 4 dhe 5 qershor 2025 u zhvillua me sukses takimi i radhës i Projektit të Bashkimit Europian, BIOSINT, “Strengthening Capacities and Digital Competences in Biomedical Education through Internationalization at Home”, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë.

Ky projekt, pjesë e programit Erasmus+ (Strand 2 – Capacity Building in Higher Education) dhe i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian, drejtuar nga Universiteti i Kragujevac, Serbi, bashkon 9 universitete partnere nga Ballkani dhe BE për të forcuar kapacitetet institucionale dhe për të integruar ndërkombëtarizimin dhe kompetencat digjitale në arsimin biomjekësor.

Gjatë takimit u prezantuan rezultatet konkrete të projektit për Fakultetin e Mjekësisë Dentare, duke përfshirë:

– Përfundimin e analizës institucionale mbi ndërkombëtarizimin në vend;

– Hartimin dhe miratimin e Strategjisë për Ndërkombëtarizimin në vend;

– Integrimin e elementëve ndërkombëtarë në programet mësimore (38 ECTS të përfshira në syllabuset e rishikuara);

– Krijimin dhe pilotimin e 3 kurseve virtuale ndërkombëtare;

– Pajisjen e Fakultetit me teknologji moderne dhe krijimin e klasës virtuale;

– Trajnimin e mbi 240 studentëve, stafit akademik dhe administrativ për ndërkombëtarizimin në vend, edukimin digjital dhe bashkëpunimin ndërkombëtar;

– Hartimin e materialeve praktike si Guida për Stafin dhe Studentët Ndërkombëtarë, Protokolli i Sigurisë dhe krijimin e Sistemit të Buddy-t.

Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave mes partnerëve, diskutimin mbi sfidat dhe mundësitë e ndërkombëtarizimit në arsimin e lartë, si dhe forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit mes institucioneve pjesëmarrëse.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë përfaqësues nga: Universiteti i Kragujevac – Koordinatori i Projektit BIOSINT, KU Leuven, Universiteti i Tuzlës, Mostarit, East Sarajevos, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Universiteti i Malit të Zi.

Ceremonia e hapjes u zhvillua më 4 qershor me fjalime përshëndetëse dhe diskutime mbi rëndësinë e ndërkombëtarizimit në edukimin biomjekësor dhe në veçanti për dobitë e projektit për Fakultetin e Mjekësisë Dentare.

Takimi u mbyll më 5 qershor, me vlerësimin e progresit dhe planifikimin e fazave të ardhshme të projektit.