UMT pjesë e projektit Erasmus+ CBHE “SINCERE” për forcimin e integritetit akademik

UMT pjesë e projektit Erasmus+ CBHE “SINCERE” për forcimin e integritetit akademik

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë është pjesë e projektit Erasmus+ CBHE “Strengthening Integrity and Ethical Culture in Regional Higher Education – SINCERE”, një iniciativë rajonale e fokusuar në forcimin e kulturës së integritetit dhe etikës në arsimin e lartë në Shqipëri dhe Kosovë.
Takimi hapës (kick-off meeting) u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli”, ku institucionet pjesëmarrëse prezantuan rolin dhe kontributin e tyre në zbatimin e projektit.
Konsorciumi përbëhet nga nëntë institucione partnere nga Shqipëria, Kosova, Rumania, Polonia dhe Serbia.
Qëllimi i projektit SINCERE
“SINCERE” synon të krijojë një qasje të unifikuar dhe të qëndrueshme mbi integritetin akademik, përmes:
* formulimit të politikave dhe procedurave të strukturuara për integritetin akademik;
* përdorimit të mjeteve digjitale për detektimin e plagjiaturës dhe përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale;
* ngritjes së një Task Force të Integritetit Akademik në çdo institucion partner;
* trajnimeve për stafin akademik dhe administrativ mbi menaxhimin e shkeljeve etike;
* krijimit të Rrjetit Rajonal të Integritetit Akademik, i cili do të vazhdojë aktivitetin përtej afatit të projektit.
Ndikimi
Projekti pritet të sjellë përmirësim në nivel:
* individual – rritje të ndërgjegjësimit dhe kompetencave mbi etikën;
* institucional – standarde dhe procedura të qarta, transparente dhe të zbatueshme;
* sistemik – forcim të praktikave etike sipas modeleve të vendeve të Bashkimit Evropian.
Integriteti akademik është themeli i cilësisë dhe besueshmërisë së institucioneve të arsimit të lartë. UMT mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të vlerave etike në mësimdhënie, kërkim dhe veprimtari institucionale.