Historiku i fakultetit

Fakulteti_i_Mjekesise
Fakulteti_i_Mjekesise_historiku2

Instituti i Lartë Mjekësor

Gjithçka nisi në vitin 1952, pra 60 vjet më parë, në po këtë ndërtesë dykatëshe ku është edhe sot, në po këto klasa, salla e zyra të tij. Në kohën kur vendi vuante ende nga plagët e panumërta të trashëguara të varfërisë, të padijes dhe të prapambetjes së thellë, lindi tempulli i ri i shëndetit që u quajt Instituti i Lartë i Mjekësisë. Ky tempull lindi si një “foshnje” e ndryshme nga vëllezërit e tij në botë; pa tekste të shkruar, pa kurrikulum, me orar mësimor të improvizuar, me pedagogë aq të pakët sa numëroheshin me gishtat e dorës dhe u quajt Instituti i Lartë i Mjekësisë. Pedagogët ishin mjekë praktikantë të diplomuar gjatë regjimit të shkuar në universitet e Evropës. Ata u thirrën të mësonin dhe të formonin mjekët e rinj të ardhshëm. Në vitin 1952, ndoqën për herë të parë studimet në vitin e parë të Institutit të Lartë Mjekësor, 61 studentë të ndarë në 4 grupe me nga 15 studentë. Nga këto 13 ishin femra. Asnjë nuk shkrepi aparatin atë ditë, asnjë gazetë nuk shkroi për këtë krijesë të re, por kjo nuk pengoi që atë ditë të niste historia e bukur, e mirëfilltë e Shkollës Mjekësore Shqiptare.

Fakulteti i Mjekësisë

Në vitin 1957, u themelua Universiteti i Tiranës i cili kishte në përbërjen e tij 6 Fakultete. Pjesë e e tyre ishte edhe Fakulteti i Mjekësisë në të cilin u edukuan dhe u diplomuan nga profesoriati dhe nga pedagogët e këtij Fakulteti mijëra mjekë që në bashkëpunim me faktorët e tjerë vendorë dhe shtetërorë thurën një sërë mrekullish shëndetësore të paharruara. Historinë dhe famën e Fakultetit të Mjekësisë nuk e përbëjnë vetëm librat, monografitë, leksionet, konferencat e seminaret, tezat dhe doktoraturat e zhvilluara dhe të mbrojtura brenda tij, por në rradhë të parë jetët njerëzore të shpëtuara me profesionalizëm dhe sukses nga ish-studentët e studentët e dalë nga bankat e tij.