ARTIKULL I GAZETËS ANGLEZE “TELEGRAPH” MBI NDËRHYRJEN KIRURGJIKALE NË TRU TË KRYER NË SHQIPËRI
Pas publikimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kopertinën e revistës prestigjioze “New York Magazine” dhe në gazetën “New York Times”, në muajin mars edhe gazeta prestigjoze angleze “Telegraph” është gazeta e radhës që ka publikuar përsëri artikullin mbi rrëfimin e shkrimtarit z. Karl Ove Knausgaard të rrugëtimit të tij në Shqipëri dhe përshtypjet që mori nga vendi ynë. Artikulli i shkrimtarit të famshëm norvegjez rrëfen ndërhyrjen kirurgjikale të kryer për herë të parë në tru, teksa pacienti ishte i zgjuar dhe i vetëdijshëm, që u krye në Tiranë në muajin gusht të vitit të kaluar, e cila u zhvillua nga Doktori i mirënjohur anglez Dr. Henry Marsh dhe nga mjekët e mirënjohur shqiptarë Prof. Dr. Mentor Petrela dhe Dr. Florian Dashi dhe për të cilën z. Karl Ove Knausgaard ishte dëshmitar.
Ekipi në Shqipëri ishte përgatitur prej 6 muajsh për të kryer për të parën herë këtë ndërhyrje të vështirë, të njohur me terminologjinë “awake craniotomy”; procedura që heq një lloj tumori në tru, që është aq i kamufluar saqë duket si truri vet. Tumore të tilla prekin më shpesh moshat e reja dhe për to, fatkeqësisht nuk ka kurë. Pa kirurgji, 50 për qind e pacientëve vdesin brenda 5 viteve, 80 për qind brenda 10 vitesh, ndërsa një operacion u zgjat jetën atyre nga 10 deri në 20 vite, por ka raste edhe më shumë.
Lartësimi i figurës së mjekëve shqiptarë, që bashkëpunojnë profesionalisht me kolegët e huaj dhe realizimi me sukses në Shqipëri i ndërhyrjes kirurgjikale të këtij lloji është, jo vetëm një nder i madh për vendin tonë, por dëshmon dhe nivelin e lartë profesional të mjekëve tanë.
Për informacione të mëtejshme, mund të konsultoni artikullin e gazetës angleze Telegraph në linkun e mëposhtëm:
REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Publikuar më 24.08.2016