Deklarate per Mediat, 13.07.2014

Deklarate per Mediat, 13.07.2014

Logo-UMT-RPUNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË

REKTORATI

Tiranë, 13.07.2014

DEKLARATË PËR MEDIAT

 

Nisur nga daljet e njëpasnjëshme në media të dekanit të pezulluar të Fakultetit të Mjekësise, Prof. Bajram Hysa, që kanë si qëllim disinformimin e opinionit publik për shkaqet e vërteta të pezullimit të tij, sqarojmë sa më poshtë:

Më datë 08.10.2013, në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë është depozituar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe Rekomandimet nga institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Nga auditimi i kryer janë konstatuar mangësi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Bazuar në nenin 9 dhe 16 të Ligjit Nr.8270, datë 23.12.1997, i ndryshuar në Ligjin Nr.8599, datë 01.06.2000 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, janë dërguar rekomandimet, si dhe është kërkuar zbatimi i tyre nga ana e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (UMT), si institucioni bazë nga i cili varet Fakulteti i Mjekësisë.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konstatuar në Fakultetin e Mjekësisë shkelje të rënda të disiplinës financiare me dëm ekonomik të llogaritur në shumën 1.990.900 lekë, dëm ky i shkaktuar nga Dekani i tij, Z. Bajram Hysa me detyrim kthimin e menjëhershëm ndaj buxhetit të institucionit. Bazuar në këto konstatime serioze mbi abuzimet e kryera në Fakultetin e Mjekësisë, rektorja e mëparshme e Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Prof. Jera Kruja, në datën 29 janar 2014, urdhëroi auditimin e Fakultetit të Mjekësisë. Rezultatet dhe rekomandimet e këtij auditi janë raportuar në datë 30.06.2014, duke konstatuar shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik, rekrutimet e personelit në tejkalim të kompetencave, moszbatim i urdhërave të nxjerra nga titullari, etj. Të gjitha këto parregullsi dhe jo vetëm, vërtetojnë se Dekani Hysa, jo vetëm nuk i ka respektuar aktet ligjore dhe nënligjore, por i ka shpërfilluar ato duke kryer shkelje të rënda të ligjit dhe duke shkaktuar dëme të pariparueshme administrative dhe financiare të reflektuara në dëmin ekonomik prej të paktën 55.365.479 lekë.

Bazuar në këto konstatime, Rektori i Universitetit të Mjekësisë Prof. Ali Refatllari, mbështetur në legjislacionin në fuqi, vendosi pezullimin nga detyra të Dekanit, Prof. Bajram Hysa, si dhe i ka propozuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shkarkimin e tij. Në urdhërin e pezullimit përshkruhet me hollësi baza ligjore e këtij vendimi. Njëkohësisht janë marrë dhe një numër masash të tjera për anëtarë të stafit administrativ të Fakultetit të Mjekësisë. Të dhënat e botuara në media të ndryshme janë një pjesë fare e vogël e raportit final të grupit auditues që ka konstatuar shkelje të rënda administrative dhe financiare.

Pretendimet e dekanit të pezulluar të Fakultetit të Mjekësisë në lidhje me tendera ilaçesh, emërime shefash, etj. janë të pavërteta, të pabaza dhe nuk kanë asnjë lidhje me Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Ato synojnë të disinformojnë opinionin publik në lidhje me shkaqet e vërteta të pezullimit që janë abuzimet e rënda administrative dhe financiare.

 

 REKTORATI I UNIVERSTITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *