Artikulli i Zv. Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Asc. Arben Gjata botuar në Gazetën Shqip, “Universiteti i Mjekësisë, ku jemi, ku duam të shkojmë”.

Artikulli i Zv. Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Asc. Arben Gjata botuar në Gazetën Shqip, “Universiteti i Mjekësisë, ku jemi, ku duam të shkojmë”.

 

 “UNIVERSITETI I MJEKËSISË, KU JEMI, KU DUAM TË SHKOJMË

 Prof. Asc. Arben Gjata

 

Pas shumë vitesh, shëndetësia dhe arsimi janë vënë në qendër të debateve të rëndësishme publike. Vënia në fokus e këtyre dy fushave në fushatën e fundit zgjedhore dhe efektet e premtimeve që fituesit shpalosën para publikut, të përkthyera ndjeshëm në kapital zgjedhor, e bën shumë të rëndësishme për shumicën përpilimin dhe zbatimin e reformave për të mundësuar realizimin e premtimeve, por njëkohësisht edhe opozitën shumë vigjilente, për të kritikuar reformat që mund të ofrohen dhe për të propozuar platformën e saj si zgjidhje të problemeve.

Nëse ka ndonjë institucion, të cilin të dyja reformat i interesojnë drejtpërdrejt, ai është padyshim Universiteti i Mjekësisë, institucioni i vetëm publik i arsimit mjekësor, por njëkohësisht edhe institucioni ku punon elita e mjekësisë shqiptare. Kjo elitë nga njëra anë përbën motorin që vë në funksion dhe kondicionon performancën e QSUT “Nënë Tereza”, qendrës spitalore më të rëndësishme në vend, dhe nga ana tjetër ndikon gjithashtu fuqishëm në gjithë sistemin mjekësor publik në vend, për shkak se të gjithë specialistët në lëmin e mjekësisë formohen pranë këtyre dy institucioneve, por edhe se ato shërbejnë gjithashtu si sistem referimi kombëtar, shpesh edhe mbarëkombëtar, si mjekësor ashtu edhe në drejtimin e promovimit profesional dhe akademik. Roli lider i këtij institucioni është i padiskutueshëm edhe në përpilimin e politikave dhe legjislacionit shëndetësor, qoftë si pasojë e ekspertizës më të kualifikuar në Shqipëri, ashtu edhe për shkak të influencës direkte apo indirekte që mjekët kanë në nivelet vendimmarrëse.

Muajt e fundit, debatet në lidhje me Universitetin e Mjekësisë dhe sidomos për Fakultetin e Mjekësisë kanë njohur nivele të larta, sa në jo pak raste, sidomos në disa shkrime pas pezullimit të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë kanë kaluar edhe limitet e etikës në diskutimet mes kolegësh. Në ndryshim nga disa artikullshkrues të përditshëm, të veshur me petkun e Perëndimit, por me mentalitetin e Haxhi Qamilit, “dum babën” e pezulluar apo shkarkuar, të cilët kanë përfituar shpesh ofiqe të pamerituara me metoda të errëta, që vijnë erë korrupsion, mendoj se reforma në arsimin e lartë është domosdoshmëri e kohës. Ajo kërkon mentalitet të mirëfilltë perëndimor, standarde të larta, korrektese shkencore dhe integritet moral dhe intelektual, kualitete këto të manifestuara ndjeshëm në komisionin Gjonçaj.

Po në fund të fundit ku qëndron problemi?

Universiteti i Mjekësisë e ka fillesën nga Instituti i Lartë Mjekësor i krijuar 60 vjet më parë, si përgjigje e nevojës të madhe që paraqiste vendi për mjekë, farmacistë e stomatologë. Më vonë, me krijimin e Universitetit të Tiranës, ai u bë një nga fakultetet themeluese të këtij universiteti dhe mbeti brenda kësaj strukture derisa rreth 18 muaj më parë kaloi si Universiteti i Mjekësisë, duke plotësuar qarkun e kthimit në identitetin e hershëm.

Shkëputja nga Universiteti i Tiranës dhe krijimi i Universitetit të Mjekësisë ka qenë një ide e hershme e mjaft profesorëve dhe pedagogëve të tij. Nuk duhet harruar, se pedagogët e Universitetit të Mjekësisë janë gjithashtu edhe mjekët klinicistë më të përgatitur që ka Shqipëria, për rrjedhojë një pjesë të kohës së punës e përdorin për diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve, ashtu siç ndodh kudo në botë, e megjithatë ngarkesa e tyre pedagogjike është e barabartë me atë të fakulteteve të tjera, ku pedagogët janë të fokusuar vetëm në mësimdhënie. Mëvetësia e universitetit do të mundësonte gjithashtu edhe aktivizimin e një numri akoma më të madh mjekësh të QSUT dhe spitaleve të tjera universitare në procesin pedagogjik, aktivitet i cili nxit në vetvete edhe përgatitjen e tyre teorike dhe praktike.

Universiteti i Mjekësisë, për vetë lidhjet që mjekët kanë me kolegë të tyre në vende perëndimore do të shërbente edhe si një urë bashkëpunimi midis sistemit publik shëndetësor shqiptar me ato të vendeve të BE, siç ka ndodhur edhe realisht, kur në rreth një vit e gjysmë janë lidhur mjaft marrëveshje e protokolle bashkëpunimi me shumë universitete të Europës. Universiteti lehtëson edhe realizimin e studimeve të përbashkëta me karakter shkencor, në bashkëpunim me institucione partnere, duke lehtësuar edhe përthithjen e granteve “për research” që akordon BE.

Për më tepër, në situatën e sotme, kur arsimi dhe shëndetësia janë prioritete kombëtare, jo thjesht ekzistenca, por fuqizimi i Universitetit të Mjekësisë është domosdoshmëri e kohës. Thellimi i mëtejshëm i autonomisë financiare do të luante një rol të madh në përmirësimin e ndjeshëm të procesit të mësimdhënies në këtë institucion të rëndësishëm mbarëkombëtar. Kështu mjafton të përmendim faktin që të ardhurat e mbledhura sot në UMT nga regjistrimet e studenteve, specializantëve, doktorantëve etj., kalojnë shifrën e 3.5 milionë eurove. Përdorimi me efikasitet dhe jo shpërdorimi i tyre, do të rrisnin ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, të sallave të leksioneve e praktikave, modernizimit të laboratorëve, pasurimit të bibliotekave me tituj bashkëkohorë, futjes së metodave të reja të mësimdhënies me anë të teknikave të imitimit, si mulazhe etj., duke i kthyer studentët nga dëgjues pasivë në aktorë aktivë të procesit mësimor.

Pavarësia e universitetit dhe një klimë e shëndoshë partneriteti profesional do të siguronin gjithashtu frymën e lirisë akademike, debatin e pastër shkencor e profesional, promovimin e më të aftëve, larg kulisave politike-klanore, që shpesh kanë promovuar personazhe në mënyrë tërësisht të pamerituar.

Këto kanë qenë argumentet që një pjesë e rëndësishme e stafit pedagogjik të Fakultetit të Mjekësisë ka përdorur në mbështetje të kësaj ideje dhe ka lobuar që ky fakultet të kthehej në universitet. Në fakt, në programin elektoral të PS u premtua shndërrimi i FM-së në Universitetin e Mjekësisë, ndërsa qeveria e PD mori vendimin që e kthente Fakultetin në Universitetin e Mjekësisë.

Çfarë ndodhi që shumë shpejt, pa kaluar as disa muaj nga konstituimi i tij, një pjesë e përkrahësve më të zjarrtë të universitetit u kthyen në anatemuesit më të mëdhenj të tij?

Komandimi i prof. Jera Krujës, si rektore e universitetit besoj se përbën elementin e parë që çoi në ftohjen ndaj kësaj ideje, pasi disa grupime brenda universitetit shpresonin dhe besonin se universiteti do të drejtohej nga ndonjë përfaqësues i çetës së tyre. Ndërkohë, edhe përpjekjet e rektores për të vënë rregull dhe kontroll si në financat e universitetit, ashtu edhe duke kërkuar zbatimin e rregullave transparente që nga përzgjedhja e pedagogëve që do të punësoheshin deri te zbatimi i procedurave të promovimit akademik dhe profesional, bëri që këto çeta të reagonin, duke përdorur si argument kotësinë e ekzistencës së këtij universiteti dhe rikthimin e tij në UT, me mentalitetin “nga inati i tim shoqi shkoj e fle me mullixhiun”, pavarësisht se deri pak kohë më parë kishin qenë mbështetës të zjarrtë të këtij transformimi.

Në fakt, të vjen të qeshësh me dhimbje tek dëgjon të flitet për parime dhe liri akademike, kur jo shumë larg, por pak vite më parë u mor vendimi të shkriheshin departamentet dhe shefave të zgjedhur iu ndërpre në mes mandati, me ca ndryshime ligjore të bëra skutave dhe të padiskutuara me asnjë nga strukturat e fakultetit, bile as në Këshillin e Fakultetit, organi që e ka për detyrë me ligj të shprehet për ndryshimet që prekin funksionin e tij. Ajo që e bënte shumë qesharake, por edhe tragjike, këtë nismë, ishte fakti që disa lëndë mbulonin shërbime të ngjashme, shërbime këto që u transformuan në departamente. Kështu i binte që p.sh. pediatria, e cila kishte 7 shërbime të transformohej në 7 departamente, të cilat jepnin të njëjtën lëndë. Kjo nismë ligjore, “ad personam”, u ndërmor që të shmangej zgjedhja me votë e shefave të departamenteve, por ata të përzgjidheshin, si në tender, nga disa komisione lehtësisht të manipulueshme, ku në konflikt të hapur interesi, në rolin e vlerësuesit ishin caktuar edhe persona që vetë konkurronin për shef dhe vlerësonin vetveten. Përzgjedhjet e bëra në mjaft raste të bëjnë të pyesësh, se për çfarë arsyesh e me çfarë logjike u përzgjodhën individë, karriera akademike e profesionale e të cilëve ishte ndjeshëm më pak e plotësuar se e disave që nuk u përzgjodhën. Kjo përzgjedhje bëri që numri i departamenteve të rritej në mënyrë disproporcionale. Nga ana tjetër, këta shefa të përzgjedhur bëheshin automatikisht edhe anëtarë të Këshillit të Fakultetit dhe duke qenë se ata ishin të mjaftueshëm të plotësonin vendet në këtë këshill, nuk u zhvilluan as zgjedhjet për këshillin, duke e mbushur atë me persona të përzgjedhur, por pa marrë asnjë votë nga askush, e jo vetëm nga studentët.

Por absurdi nuk mbaronte këtu, sepse pasi u konstatua që prishja e departamenteve ishte non-sens, u kalua tashmë në përzgjedhjen e koordinatorëve, që do të luanin rolin e shefave të departamenteve, të cilët sipas ligjit në fuqi zgjidheshin me votë. Dhe si për ta bërë akoma më bajate procedurën, në kundërshtim me ligjin që vetë kishin hartuar, aty ku nuk dilte llogaria apo nuk dinin kujt t’ia prishnin e kujt t’ia ndreqnin, u komanduan në mënyrë absurde jo profesori me vjetërsi më të madhe sipas ligjit, por zëvendësdekanët, një farmakolog si koordinator i obstetrikë-gjinekologjisë dhe një zëvendësdekan, me titull më të ulët dhe me pak eksperiencë, si koordinator i kirurgjisë, kur në këto njësi kontribuonin personalitetet më të afirmuara të këtyre fushave të mjekësisë shqiptare.

Kjo ishte dhe është situata në Fakultetin e Mjekësisë, ku përjashtuan dekanin dhe shefat e departamenteve të lëndëve paraklinike, të gjithë të tjerët janë të përzgjedhur pas konkurrimit me dosje, lobingje, miq a lidhje apo ndoshta edhe më ndyrë se kaq. Në këtë fakultet është thyer disa herë, me arsyetime absurde, mandati i kryetarit të Këshillit të Profesorëve, këtu me insistimin e dekanit Hysa u manipulua zgjedhja e kryetarit të Këshillit të Profesorëve, duke u votuar në mungesë kuorumi dhe vetëm pas vendimit të rektores Kruja dhe ministres së Arsimit dhe Sporteve, u përsëritën votimet, të cilat demonstruan se për kë votonte mazhoranca e këshillit.

Kalimi i dosjeve për tituj shkencorë dhe mbrojtja e doktoraturave, që piqeshin edhe si qofte, është një risi interesante e këtyre viteve. Mund të kalonte dosja si rrufe në qoftë se kishe njohjet dhe miqësitë e duhura, bile të propozonin, të kaloje edhe dy shkallë menjëherë, sikur të kishe bërë zbulime të papara, por dosja mund të flinte edhe me vite sirtarëve, kur nuk ishe person i përshtatshëm, në kundërshtim të hapur me ligjin. U tentua të manipulohej masa e studentëve me teorinë se diplomat e këtij universiteti ishin të pavlefshme në BE, a thua sikur me diplomën e UT të njiheshin menjëherë titujt e studimeve në tërë botën.

Kjo ishte situata kur prof. Ali Refatllari u komandua rektor i universitetit. Rektorit të ri i binte barra të bënte të gjitha përpjekjet për të stabilizuar situatën, duke kërkuar bashkëpunimin institucional të gjithë strukturave të varësisë. U ndërmorën disa hapa të rëndësishëm, si rikthimi me ligj i departamenteve, bashkimi i përkohshëm i të gjithë Këshillave të Profesorëve, në një të vetëm, për të rritur kontrollin mbi mbrojtjen e doktoraturave dhe për të vlerësuar sipas të njëjtave kritere kërkesat dhe dosjet për tituj shkencorë. Është ndërmarrë, bile është ende në vazhdim një audit për rivlerësimin dhe procedurat e ndjekura në mbrojtjen e doktoraturave apo titujve shkencorë. Është duke u përgatitur dhe do të hidhet për diskutim në departamente Rregullorja e Universitetit. Por një kontroll financiar, i nisur nga rektorja e mëparshme, evidentoi probleme të rëndësishme menaxheriale e financiare në Fakultetin e Mjekësisë, që pas marrjes të opinionit nga drejtoria juridike, e detyroi rektorin të pezullonte dekanin dhe të kërkonte shkarkimin e tij. Nuk jam në gjendje, për shkak të mungesës së ekspertizës, të bëj analizën e shkeljeve të konstatuara, por specialistët mendojnë se problemet e evidentuara janë mjaft serioze. Pezullimi i dekanit, si një rast i paprecedentë në historinë e këtij fakulteti nuk mund të kënaqë askënd, përfshirë edhe rektorin, por në zbatimin e detyrës gjithkush është i detyruar të zbatojë legjislacionin në fuqi.

Sidoqoftë, problemet e universitetit dhe edukimit mjekësor publik në Shqipëri, siç e përshkrova edhe më lart, janë mjaft më të komplikuara se pezullimi apo afirmimi i një dekani. Ato kërkojnë vizione të reja, reforma të thella, bashkëpunim të pastër dhe debat publik të hapur për të vendosur jashtë kulisave atë që është më e përshtatshmja.

Kështu, me fillimin e mijëvjeçarit të ri Arsimi i Lartë Mjekësor në Europë po integrohet gjithnjë e më shumë në procesin e Bolonjës dhe trendi i formimit të plotë të mjekut në shumë vende europiane nuk është më 6 vjet, siç është aktualisht në vendin tonë, por studimet akademike vazhdojnë në drejtim të specialiteteve të ndryshme, që zgjasin 3-5-7 vjet.

Mjeku i familjes, në shumë vende europiane, tashmë konsiderohet një specialitet më vete, me peshë të madhe në sistemin shëndetësor. Besoj se edhe te ne ka ardhur koha që mjekët e rinj t’i nënshtrohen një konkursi klasifikues, jo eliminues, për të përzgjedhur specialitetin në listën e specialiteteve që janë përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë (numër i mbyllur). Në këtë listë specialitetesh duhet të përfshihet edhe specialiteti i mjekut të familjes, me numër të hapur. Kështu të gjithë mjekët, përfshirë edhe mjekun e familjes, do të licencoheshin pas kryerjes së specializimit, duke mundësuar që pacienti të kurohej nga mjekë specialistë, që kanë një edukim jo më pak se 9 vjet.

Reforma akademike duhet të përfshijë të gjithë komponentët e Universitetit të Mjekësisë: mësimdhënien, kërkimin shkencor e kujdesin shëndetësor, të cilat mund të realizohen vetëm pas rikthimit dhe fuqizimit të autonomisë akademike, deri në nivel departamenti dhe shërbimi klinik-diagnostik.

Mësimdhënia kërkon aplikimin e kurrikulave të reja, të cilat të kenë në qendër kompetencën profesionale të studentit dhe mjekut të ardhshëm, si kurrikulën e integruar, sipas të cilës studenti fillon të marrë njohuri për shkencat klinike krahas atyre bazë, që në vitin e parë e deri në vitin e gjashtë të studimeve. Duhet të aplikohen metoda të reja në mësimdhënien dhe po ashtu duhet të aplikohen metoda shkencore në vlerësimin e studentëve, duke pasqyruar drejt cilësinë e mjekëve të diplomuar.

Stafi akademik duhet të kualifikohet për metodat e reja të mësimdhënies. Nevojitet rritja e numrit të stafit pedagogjik dhe atij ndihmës duke ulur raportin pedagog/student nga 1/20, në të paktën 1/8 dhe natyrisht rritja e motivimit të tyre. Ndryshimi i këtij raporti mund të duket sikur sjell një kosto për financat e vendit tonë, por mos harrojmë se duke arritur këtë standard të niveleve europiane do të rrisim nivelin e produktit pedagogjik dhe cilësinë e mjekëve shqiptarë, të sotëm dhe të ardhshëm.

Kërkimi shkencor kërkon krijimin e strukturave dhe përpilimin e një legjislacioni bashkëkohor, i cili duhet të njohë dhe përcaktojë statusin e kërkuesit. Duhet të investohet për krijimin e qendrave të kërkimit shkencor dhe të nxitet kërkimi përmes motivimit akademik dhe financiar, të aplikohen politika decentralizuese deri në grupin kërkimor për thithjen e projekteve dhe donatorëve të ndryshëm, duke i dhënë tjetër frymëmarrje dhe zhvillim punës shkencore që sot është pothuajse inekzistente.

Kujdesi shëndetësor spitalor është moment kyç për çdo fakultet mjekësie. Vërshimi i studentëve dhe specializantëve në dyert e shërbimeve universitare, kur kapaciteti i tyre është i kufizuar kërkon ose reduktim të numrit të studentëve ose shtim të kapaciteteve pritëse akademike dhe klinike. Në situatën e sotme, Fakulteti i Mjekësisë, sipas normave europiane, ka nevojë për më shumë ambiente klinike për studentët dhe për specializantët e tij. Po ashtu duhet të përcaktohet qartë raporti midis UMT dhe spitaleve universitare, raport i cili mund të jetë sipas një modeli të integruar apo në partneritet, çka do të kërkonte edhe përcaktimin e statusit të mjekut pedagog dhe mjekut specializant që ofron shërbim mjekësor në këto qendra universitare.

Përzgjedhja e studentëve që pranohen në FM ka rëndësi të veçantë dhe në eksperiencën e shumicës së vendeve të Europës përcaktohet nga shteti me numër të mbyllur (numerus clausus). Kualifikimi masiv (9-12 muaj) i specializantëve me moshë të re në klinikat perëndimore përmes fondeve publike apo nëpërmjet projekteve të bashkëpunimit do të ishte një nga faktorët që do të nxisnin një hop cilësor. Zhvillimet e reja teknologjike në fushën e diagnostikës dhe trajtimit mjekësor kërkojnë mjekë të aftë që t’i aplikojnë dhe interpretojnë këto teknologji. Specializimet masive jashtë vendit, në klinika që aplikojnë teknologji moderne, do të ofronin një diagnozë dhe mjekim më të përparuar duke përmirësuar rrënjësisht sistemin tonë shëndetësor. Duhet të nxitet fuqizimi i edukimit profesional në vazhdim, sidomos për mjekët e familjes, të cilët në pjesën dërmuese të tyre janë mjekë të përgjithshëm me formim 5 ose 6-vjeçar, por edhe për specialistët, të cilët në mënyrë ciklike duhet të përmirësojnë dijet e tyre, qoftë edhe duke u atashuar për një periudhë rifreskimi pranë shërbimeve të QSUT. Formimi i menaxherëve spitalorë dhe i menaxherëve të shëndetit publik mbi bazën e mjekut, juristit, ekonomistit, punonjësit social etj., përbën një nga sfidat e mëdha të reformimit, pasi deri sot edukimi në këtë fushë mungon. Formimi brenda pak viteve i administratorëve shëndetësorë, duke filluar nga drejtorët e spitaleve, do të ngrinte cilësisht drejtimin profesional të shëndetësisë dhe do të stabilizonte administratën në shëndetësi. Fakulteti i Shëndetit Publik mund të bëhet baza e krijimit të Shkollës së Shëndetit Publik dhe Menaxhimit Mjekësor, duke plotësuar këtë mangësi të shërbimit shëndetësor në Shqipëri.

Besoj se debati mbi këto ide dhe rruga si ato mund të implementohen do të përbënte një pikënisje për një diskutim sa më gjithëpërfshirës për përmirësimin e tërë procesit të formimit të mjekëve të së ardhmes. Përmirësimi i cilësisë mund të vijë vetëm nga sinteza e ideve progresiste të elitës tonë mjekësore. Rezistenca për të mbetur në skema abuzive të dështuara nuk mund të bllokojë përparimin drejt cilësisë të kësaj të mire publike thelbësore, prandaj të gjithë janë të mirëpritur të shprehin konsideratat dhe propozimet e tyre.

 

Botuar në Gazetën Shqip të datës 22 Korrik 2014, 

http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/07/22/universiteti-mjekesise-ku-jemi-ku-duam-te-shkojme/

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *