PERFUNDON ME SUKSES “KONFERENCA E III-TË PEDAGOGJIKE E FAKULTETIT TË MJEKËSISË,  UNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË”

PERFUNDON ME SUKSES “KONFERENCA E III-TË PEDAGOGJIKE E FAKULTETIT TË MJEKËSISË, UNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË”

Ditën e Martë, 06.10.2015, përfundoi me sukses punimet e saj “Konferenca e III-të Pedagogjike e Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë”, e organizuar në ambientet e Tirana International Hotel. Në këtë konferencë nderuan me pjesëmarrjen e tyre Znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit, Z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, Prof. Dr. Arben Gjata, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe Prof. Dr. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë, Znj. Adriana Berberi, Drejtore e Kabinetit të Ministres së Arsimit dhe Sportit, Znj. Linda Pustina, Drejtore e Drejtorisë së Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Prof. Dr. Mentor Petrela, PU, PH, Përgjegjës i Departamentit të Neurokirurgjisë dhe Prof. Dr. Artan Goda, Përgjegjës i Departamentit të Zemrës dhe Enëve të Gjakut. Konferenca ishte një iniciativë e Dekanatit për të mbledhur në një diskutim të hapur pedagogët e nderuar të Fakultetit të Mjekësisë dhe për të prezantuar sfidat didaktike dhe shkencore të Fakultetit të Mjekësisë për vitin e ri akademik 2015-2016. Konferenca u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla përgëzoi iniciativën e Fakultetit të Mjekësisë. Znj. Nikolla theksoi se kjo konferencë është një takim i rëndësishëm që përkon me ditën e parë të hyrjes në fuqi të Ligji i Ri i Arsimit të Lartë dhe është një koiçidencë e mirë që ajo ndodhet e ftuar në këtë konferencë dhe gjen rastin për të folur për linjat inspiruese që sjell Ligji i Ri. “Ky është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e arsimit shqiptar. Universitetet do të kthehen në vatra të dijes dhe shkencës si në çdo vend tjetër perëndimor. Shqipëria do të kthehet në një pikë referimi në Ballkan për të mbledhur eksperiencat më të mira nga fqinjët për të krijuar modele të ekselencës dhe për të bashkëpunuar në ofrimin e programeve të përbashkëta. Gjëja që është më e vështirë të ndryshojë është mentaliteti dhe rutina. Por unë besoj se vetë procesi ka qënë inspirues. Dua të theksoj se përmes këtij Ligji kemi shënuar një standard të ri duke folur me profesionistë. Ky ligj i jep fund plagjiaturës, i jep fund metodologjisë që një pedagog udhëheq shumë studentë në diplomë dhe ky është momenti ku të gjithë duhet të bashkëpunojmë që ta realizojmë konkretisht Ligjin”, nënvizoi Nikolla.

Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj, në fjalën e tij, e cilësoi sistemin shëndetësor, si pjesë e një procesi që afatgjatë dhe, për shkak të specifikës së studimeve mjekësore, standardet dhe politikat e zhvillimit do të mund të arrihen pas 10 vjetësh dhe çdo ditë profesionistët e mjekësise po luftojnë për të arritur këto standarde. “Pas 10 vjetësh do të dalin rezultatet e përmirësimit të mjekësisë me Ligjin e Ri të Arsimit të Lartë, pasi kjo është një punë që profesionistët e bëjnë çdo ditë me përkushtim”, theksoi Z. Beqaj.
Ministri Z. Ilir Beqaj foli mbi nevojat parësore për specialistë në klinikat e ndryshme të të gjithë vendit, të cilat janë të evidentuara nga Ministria e Shëndetësisë. Z. Beqaj, gjithashtu, informoi të pranishmit se së shpejti do të publikohet Vendimi i Këshillit të Ministrave mbi hapjen e Specializimeve. “Sfida jonë për shëndetësinë nuk është vetëm që të luftojmë sëmundjet, por edhe të sigurojmë diagnostifikimin e tyre të hershëm, për të parandaluar sëmundjet. Sigurisht, është e nevojshme që të shtohen profesionistët e shëndetësisë. Prandaj ne kemi evidentuar nevojat për personel të kualifikuar dhe për specialistë të fushës. Unë mendoj se ka nevojë gjithashtu që sektorët më të specializuar si në kirurgji, pediatri, imazheri, kardiologji, etj. të mund të jenë të ndara në nënsektorë të profilizuar. Ne kërkojmë bashkëpunimin tuaj, pasi jeni ju që edukoni dhe prodhoni mjekë për t’i shërbyer pacientëve dhe me ju do të bëhet edhe programi 5-vjeçar i riçertifikimit”, tha Z. Beqaj.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata paraqiti historikun e Mjekësisë Shqiptare që nga zanafilla e tij me krijimin e Institutit të Lartë Mjekësor në vitin 1952, formimin e Fakultetit të Mjekësisë në vitin 1957 si pjesë e Fakultetit të Tiranës dhe, përfundimisht, promovimi i Fakultetit të Mjekësisë me statusin e Universitetit dhe themelimi i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, më 23 Janar 2013. “Synimi ynë në formimin e profesionistëve të shendetit, sidomos mjekëve, duhet të orientohet drejt 7 roleve kyçe profesionale, të përgatisë: Ekspertin mjekësor, Komunikatorin, Bashkëpunëtorin, Menaxherin, Avokatin e shëndetit, Nxënësin, Profesionistin”, nënvizoi Rektori Gjata. Ai theksoi arritjet e deritanishme dhe ecurinë e mirë të Universitetit dhe, gjithashtu, parashtroi objektivat që Universiteti i Mjekësisë, Tiranë ka si prioritet për t’u zhvilluar më tej. “Në pamje të parë realizimi i këtyre synimeve duket si një ëndërr e parealizueshme, por duhet të kujtojmë se baballarët që krijuan shkollën e mjekësisë shqiptare jo vetëm ëndërruan, në kohë shumë më të veshtira, por edhe guxuan ta bënin ëndrrën e tyre realitet”, tha Rektori Arben Gjata.

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Mira Rakacolli falënderoi Ministrat e ftuar dhe Profesoratin e Fakultetit të Mjekësisë për pjesëmarrjen në këtë konferencë të rëndësishme për mjekësinë shqiptare dhe paraqiti programin e saj në kuadër të sfidave të Fakultetit të Mjekësisë. Ajo u ndal gjithashtu mbi nevojën e Specializantëve për trajnime të vazhdueshme dhe të plota dhe informoi të pranishmit se Fakulteti i Mjekësisë po përgatit trajnimet e grupeve prej 20-30 specializantësh në Shërbimet që kanë mjetet laboratorike më të avancuara dhe po harton projekte për të zhvilluar më tej asetet e Fakultetit me teknologji të avancuar, si një nevojë primare dhe bashkëkohore në mjekësi.

Në fjalën e saj, Znj. Linda Pustina, Drejtore e Drejtorisë së Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, përgëzoi Universitetin e Mjekësisë, Tiranë për zhvillimin e suksesshëm të organizimit të procesit të Specilizimeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe të Mjekësisë Dentare dhe vlerësoi, gjithashtu, angazhimin e të gjitha strukturave të Universitetit për të bashkëpunuar dhe për të marrë pjesë në implementimin e procedurave arsimore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ajo falënderoi Profesoratin e Mjekësisë për ndihmesën e tyre me mendimeve dhe sugjerime dhe i ftoi ata të jenë përherë pjesë aktive e zhvillimit të Ligjit të Ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Konferenca u zhvillua me referime mbi transmetimin e dijeve, prezantimin e prioriteteve në kurrikula dhe fokusimin e mësimdhënies të bazuar në evidenca dhe në praktikat më të reja në fushën e mjekësisë. Gjithashtu, një temë e veçantë ishte dhe zbatimi i standardeve të suksesshme ndërkombëtare që aplikohen nga Fakultetet e ndryshme perëndimore të Mjekësisë. Konferenca u zhvillua në dy seksione dhe synimi i këtij takimi të rëndësishëm ishte diskutimi mbi reformat dhe programet e zhvillimit në arsimin mjekësor. Moderatorët e seksionit të parë ishin Rektori Prof. Dr. Arben Gjata dhe Dekanja Prof. Dr. Mira Rakacolli dhe moderatorët e seksionit të dytë ishin Prof. Dr. Mentor Petrela, PU, PH, dhe Prof. Dr. Artan Goda.

Në fund të prezantimeve u zhvillua një bashkëbisedim i hapur mes Rektorit Prof. Dr. Arben Gjata, Dekanes Prof. Dr. Mira Rakacolli, Prof. Dr. Mentor Petrela, PU, PH, Prof. Dr. Artan Goda, Znj. Linda Pustina dhe pedagogëve të Fakultetit të Mjekësisë pjesëmarrës në këtë konferencë.

 

 

                 REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 07.10.2015

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *