PROCEDURAT E PRANIMIT DHE REGJISTRIMIT NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË PËR SHTETASIT E HUAJ NË VITIN AKADEMIK 2014-2015
Në bazë të Udhëzimit Nr. 29, datë 10.09.2014, të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit “Për procedurat e pranimit në ciklin e parë, për shtetasit e huaj që kërkojnë të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2014 – 2015”, informojmë shtetasit e huaj që kërkojnë të studiojnë në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë se procedura e aplikimit kryhet në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit nga data 10 shtator deri më datë 01 tetor 2014. Kandidatët aplikojnë individualisht në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit apo në kuadër të Marrëveshjeve Shtetërore dypalëshe ose shumëpalëshe, për ndjekjen e studimeve në ciklin e parë të studimeve, për vitin akademik 2014-2015 dhe do të përzgjidhen për programin e studimit të kërkuar, në bazë të dosjeve të aplikantëve të përcjella individualisht nga vetë të interesuarit ose të ardhura nga përfaqësitë diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë, nga Ministritë e Arsimit të vendeve përkatëse ose nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë.
Studentët e huaj duhet të paraqesin në Drejtorinë e Integrimit dhe Projekteve, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në periudhën 10 shtator 2014 – 1 tetor 2014 dokumentet e mëposhtme:
-
- Formularin e aplikimit sipas Shtojcës nr. 1 të Udhëzimit Nr. 29;
- Vërtetim që nuk ka qenë i ndjekur penalisht dhe që nuk është në ndjekje penale, në vendin e origjinës, i lëshuar 3 muajt e fundit;
- Fotokopjen e njësuar të dokumentit personal të identitetit;
- Fotokopjen e njësuar të origjinalit të legalizuar të diplomës së shkollës së mesme e shoqëruar nga një dokument të lëshuar nga autoritetet arsimore kompetente që dëshmon se mbajtësi i diplomës ka të drejtë të ndjekë studimet në institucione të arsimit të lartë në vendin e tij/saj;
- Certifikatë e njohjes së gjuhës shqipe, lëshuar nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë së Universitetit të Tiranës, dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument që provon njohjen e gjuhës shqipe në nivelin e kërkuar (për shembull, diplomë e kryerjes së një cikli studimi në gjuhën shqipe, etj);
- Kopjen e njësuar të origjinalit të lejeqëndrimit për shtetasit e huaj, lëshuar nga Ministria e Brendshme, nëse disponohet nga aplikuesi;
- Curriculum Vitae;
- Deklaratë sipas Shtojcës nr. 2 të udhëzimit Nr. 29.
Nga data 03 tetor deri më datë 17 tetor 2014 kandidatët që rezultojnë fitues duhet të kryejnë regjistrimin pranë sekretarive mësimore të fakulteteve të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
Për më tepër informacione, ju ftojmë të konsultoni udhëzimin në këtë link: https://www.dropbox.com/s/0n8kesoprl4m4ui/Udhezimi_30_12_09_2014.pdf?dl=0
REKTORATI