PROF. DR. MENTOR PETRELA PU PH, ZGJIDHET ANËTAR I JASHTËM I AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS

PROF. DR. MENTOR PETRELA PU PH, ZGJIDHET ANËTAR I JASHTËM I AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, ka nderin e veçantë të informojë se më datë 24 prill 2017, profesori i shquar i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Mentor Petrela PU PH, u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në nder të Prof. Dr. Mentor Petrela PU PH në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në Prishtinë, u organizua një ceremoni nderimi. Me këtë rast, Kryetari i ASHAK-ut, akademik Hivzi Islami, i dorëzoi Profesor Petrelës fletëdëshminë si anëtar i jashtëm i ASHAK. Prof. Petrela mbajti ligjeratën me temë: “TRANSHUMANIZMI – REALITET MITOLOGJIK EVOLUCIONIST?”

 

 

 

 

 

 

Ky vlerësim është një nderim i lartë për kontributin e çmuar prej disa dekadash të Prof. Dr. Mentor Petrela PU PH si mjek i shquar, si pedagog, si përgjegjës departamenti dhe si specialist i mirënjohur në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e Neurokirurgjisë.
Prof. Dr. Mentor Petrela PU PH është një ndër personalitetet më të shquara të shkencës, mjekësisë, pedagogjisë dhe të kulturës shqiptare. Ai mban pozicionin e Përgjegjësit të Departamentit të Neuroshkencave dhe Shefit të Shërbimit të Neurokirurgjisë. Prej shumë vitesh është pedagog i nderuar në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe shërben me përkushtim si mjek neurokirurg pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT).
Prof. Dr. Mentor Petrela PU PH, nga viti 1992 është anëtar nderi i Shoqatës Franceze të Neurologjisë. Në vitin 1996 mori çmimin “Chevalier dans l’Ordre des Palmes Académiques” (“Kalorës i Urdhrit të Palmës Akademike”) nga Kryeministri i Francës Alain Juppé. Me Konkurs Kombëtar për Universitetet e Francës në vitin 1997 në Paris është zgjedhur Profesor i Neurokirurgjisë. Prej vitit 1998 është anëtar i Federatës Botërore të Neurokirurgjisë (World Federation of Neurological Surgery) dhe i Asociacionit Evropian të Shoqatave të Neurokirurgjisë (European Assotiation of Neurological Societies). Është anëtar aktiv i Akademisë Botërore të Neurokirurgjisë (World Academy of Neurological Surgery) me seli në Vienë, ku ka mbajtur dhe ligjërata. Në cilësi të profesorit të ftuar (professeur invité) ka mbajtur ligjërata në Universitetet e Parisit, të Milanos, të Nju-Jorkut, të Gjenevës etj. Në vitin 2014 Presidenti i Francës Franҫois Hollande i akordoi dekoratën më prestigjioze të Francës “Chevalier de la Legion d’Honneur” (“Kalorës i Legjionit të Nderit”). Profesor Petrela ka publikuar shumë studime në revistat prestigjioze evropiane dhe botërore nga lëmi i neurokirurgjisë.
Zgjedhja e Prof. Dr. Mentor Petrela PU PH si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është një vlerësim jo vetëm për punën e tij të palodhur profesionale dhe ekspertizën e lartë në shërbim të pacientëve, brenda dhe jashtë vendit, në fushën e neurokirurgjisë, por është, gjithashtu, një nder i madh për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, ku jep Profesor Petrela jep kontributin e tij të vyer në përgatitjen e brezave të Mjekësisë Shqiptare.

Transhumanizmi realitet mitologjik evolucionist

REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më: 27.04.2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *