THIRRJE APLIKIMI PËR KRIJIMIN E RRJETIT STUDENTOR TË EKSELENCËS TË UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

THIRRJE APLIKIMI PËR KRIJIMIN E RRJETIT STUDENTOR TË EKSELENCËS TË UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Një libër, një stilolaps, një student dhe një pedagog mund ta ndryshojnë botën

Malala Yousafzai

Nën filozofinë e kësaj thënieje, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë hap thirrjen për aplikim në Rrjetin Studentor të Ekselencës pranë këtij Universiteti.

Ky rrjet synon të pasqyrojë tërësinë e vlerave si: Demokracia e brendshme, Transparenca, Ekselenca, Integriteti, Lidershipi, Eksperienca ndërmjet studenteve, Gjithë përfshirja, Diversiteti, të përvojave dhe qëllimeve të studentëve ekselentë të Universitetit të Mjekësisë, nxitjen e tyre për shprehjen e mendimeve me qëllim rritjen akademike, personale dhe profesionale të të gjithë studentëve të Universitetit te Mjekësisë, Tiranë.

 

Rrjeti Studentor i Ekselencës UMT do të kontribuojë në jetën akademike e sociale të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, përkatësisht në:

  • Pasurimin e përvojave studentore duke krijuar një komunitet bashkëpunues që nxit një jetesë të ekuilibruar dhe të qëndrueshme.
  • Përgatitjen dhe angazhimin e studentëve për të udhëhequr, mësuar dhe jetuar në një shoqëri globale.
  • Krijimin dhe zgjerimin e mundësive të ndryshme për studentët, si dhe të marrëdhënieve të qëndrueshme midis studentëve dhe aktorëve (stakeholders) kryesore.
  • Zhvillimin dhe mbështetjen e mënyrave të reja për përfshirjen e studentëve në Universitet.
  • Identifikimin e nevojave kryesore të studentëve dhe të Universitetit dhe dhënien e mendimeve/propozimeve rreth përmbushjes së këtyre nevojave.
  • Angazhimin e studentëve si qytetarë të përgjegjshëm, të cilët japin kontributin e tyre social dhe profesional përmes udhëheqjes, njohurive dhe shërbimit që ata i bëjnë shoqërisë.

 

Kriteret e aplikimit për Rrjetin e Studentëve të Ekselencës – UMT

  • Aplikanti duhet të jetë student i UMT-së, në një nga programet e ciklit të parë (bachelor) ose të dytë (master i integruar ose master i shkencave) me kohë të plotë.
  • Të ketë përfunduar të paktën vitin e parë të studimeve dhe të ketë notë mesatare aritmetike (të thjeshtë) > 9 të rezultateve të studimeve.

 

Dokumentacioni për aplikim i kandidatit për Rrjetin e Studentëve të Ekselencës

  • Formulari aplikimit i plotësuar nga aplikanti Kliko këtu

(formulari i aplikimit me të dhënat tuaja, të dorëzohet pranë Sektorit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë).

 

Afati i aplikimit- deri më datë 15 Janar 2018

 Duke besuar se e Nesërmja e Mjekësisë Shqiptare u përket studentëve të së Tashmes, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë fton të gjithë studentët e ekselencës të jenë pjesë e këtij rrjeti.