CEREMONIA E DIPLOMIMIT 2018
Universiteti i Mjekësisë me një histori 65 vjeçare tashmë, do të bashkonte të shkuarën dhe të ardhmen në Pallatin e Koncerteve në mbrëmjen e 21 shkurtit , në Ceremoninë e Diplomimit të Studentëve për vitin akademik 2018.
Personalitete të fushës akademike, pedagogë, studentë e prindër, do të gjendeshin në të njëjtën sallë për të përmbyllur me sukses, historinë e çdo studenti të diplomuar.
Prezantuesja e Ceremonisë Jerida Sakaj, do të shoqërohej nga një studente e Universitetit të Mjekësisë, Harmela Sinanaj gjatë prezantimit, për të kumtuar mesazhin e përbotshëm se “ Atje ku çmohet arti i Mjekësisë, çmohet edhe dashuria për njeriun’’.
Në këtë mbrëmje, përmes fjalimit të Prof. Dr. Gjergj Theodhosit , takuam të shkuarën historike të Universitetit të Mjekësisë. Risollëm në kujtesë emra të personaliteteve, që me përkushtimin e tyre, kanë ndërtuar identitetin institucional të Universitetit të Mjekësisë dhe njëkohësisht na kanë trashëguar vlerat dhe misionin e tij si një testament, të cilit, duhet t’i qëndrojmë besnikë gjithnjë.
Nuk do të mungonte në këtë mbrëmje Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Znj. Ogerta Manastirliu me fjalën përshëndetëse për të gjithë studentët e Universitetit të Mjekësisë, për të nënvizuar edhe njëherë rolin kyç që ka çdo student i diplomuar në zhvillimin dhe përmirësimin e Sistemit Shëndetësor në Shqipëri.
Disa nga studentët e Rrjetit të Ekselencës do të rrëfenin pjesëza nga jeta universitare duke shprehur mirënjohjen për stafin akademik në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.
Dekanët e Fakulteteve pranë Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në fjalën përshëndetëse, do të ndanin përvojën dhe qëllimet e tyre në përmbushjen e misionit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
Në fjalimin përmbyllës Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Arben Gjata, do të theksonte marrëdhënien delikate mes mjekut dhe pacientit si një marrëdhënie që kish nevojë të ushqehej me besim, dashuri dhe përkushtim pa kushte.
Mbrëmja u mbyll me mesazhin e diplomës në duart e çdo studenti, për Artin e Mjekësisë…
Mjekësia është Art!
Mjekësia është arti ku ti sheh horizontin, mendon se se ku do të shkosh dhe e duron lodhjen gjatë udhës. Shpesh, udha është e vështirë, nuk është aspak e lehtë.
Ka netë të bardha. Ka edhe ditë rrëzimi. Por, kurrë nuk duhet të kesh frikë nga rrëzimi.
Tek Arti i Mjekësisë, nuk është e rëndësishme të mos rrëzohesh, por të mos mbetesh peng i rrëzimit.
Të ngrihesh menjëherë dhe ta vazhdosh udhën tënde drejt impulsit të jetës!
Është bukur të punosh çdo ditë dhe të shërosh njerëzisht!