HOMAZHE PËR PROF. RUSHEN GOLEMI, KIRURGIA E PARË SHQIPTARE
Shuhet nga jeta, Prof. Rushen Golemi, kirurgia e parë shqiptare dhe pedagogia e shquar e Fakultetit të Mjekësisë
Rushen Golemi lindi në 16 korrik 1935, në një familje me tradita te njohura patriotike në qytetin e Durrësit, ku perfundoi dhe shkollën e mesme me rezultate të larta. Ajo vazhdoi dhe përfundoi shkelqyer studimet me brezin e parë të 61 mjekëve qe u diplomuan në vitin 1957 ne Fakultetin e Mjekësisë të sapo themeluar dhe po atë vit filloi aktivitetin profesional si mjeke kirurge në Shërbimin e Parë Universitar të Kirurgjisë së Përgjithshme, të Spitalit Civil të Tiranës. Me një shkëputje të shkurter në vitin 1959, kur punoi me përkushtim në Spitalin e Peshkopisë, Dr. Golemi vazhdoi aktivitetin kirurgjikal në Shërbimin e Parë të Kirurgjisë deri ne vitin 1991, kur u shkëput për të vazhduar me mandatin e Deputetes së Kuvendit te Shqipërisë ne vitin 1992. Që nga viti 1974 Prof. Golemi ka qenë pedagoge ne Katedrën e Kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë dhe shefe e Shërbimit të Parë Universitar të Kirurgjisë së Pergjithshme, duke mësuar qindra studente dhe specializante në shkencën dhe artin kirurgjikal. Aktiviteti i saj i pasur profesional mbulon mbi 10. 000 nderhyrje kirurgjikale, ndër të cilat 1500 në gjendrren tiroide, një përvojë e pasur, e pasqyruar në një bibliografi prej mbi 30 artikujsh dhe referimesh shkencore dhe tekstesh mesimore si “Desmurgjia” etj. E përkushtuar pafund ndaj pacienteve të saj, Prof. Golemi përfaqëson një model të paarritshëm me dijen, profesionalizmin, empatinë dhe vlerat njerezore, për të cilat është vleresuar me Medaljen “Për Shërbim të Mirë të Popullit” (1981); Urdherin Profesional të Klasit të Parë (1990) dhe Titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës” (2006).
Universiteti i Mjekesise përcjell ngushëllimet më te sinqerta për familjarët dhe njofton se homazhet për të ndjerën bëhen ditën e mërkure 28 shkurt pranë Sallës së Mbledhjeve Plenare të Kuvendit të Shqipërisë (përballë Godinës së të Përndjekurve Politikë) nga ora 11.30-15.00.