NJOFTIM PËR KANDIDATËT APLIKANTË PËR PROVIMET E SPECIALIZIMEVE AFATGJATA, TË CIKLIT TË TRETË NË FUSHËN E MJEKËSISË DHE STOMATOLOGJISË

NJOFTIM PËR KANDIDATËT APLIKANTË PËR PROVIMET E SPECIALIZIMEVE AFATGJATA, TË CIKLIT TË TRETË NË FUSHËN E MJEKËSISË DHE STOMATOLOGJISË

Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimet e specializimeve afatgjata, të ciklit të tretë në fushën e mjekësisë dhe stomatologjisë, ju bëjmë me dije sa më poshtë:
Provimet e specializimeve afatgjata, të ciklit të tretë në fushën e mjekësisë dhe stomatologjisë, do të zhvillohen në datat 22 dhe 23 Qershor 2020, në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), me adresë: Bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr. 23, Tiranë (ish ATSH).
Kalendari dhe listat emërore me oraret për çdo kandidat, do të publikohen në vijim në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore www.qsha.gov.al.
Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, nëpërmjet urdhrave të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, provimet do të zhvillohen duke zbatuar me përpikmëri rregullat e mëposhtme:
Qendra e Shërbimeve Arsimore është përgjegjëse për ofrimin e sigurisë maksimale dhe kushteve të përshtatshme higjeno – sanitare, duke ofruar:
– pastrim dhe dezinfektim të ambienteve të provimit me solucione dezinfektuese të miratuara, përpara dhe pas çdo seance provimi;
– pastrim dhe dezinfektim të pajisjeve fizike të ambienteve të provimit, si: kompjuterët, pajisjet elektronike, karriget, tavolinat, etj.;
– vendosje të solucioneve dezinfektuese në hyrje të çdo ambienti provimi;
– respektim të distancës 1,5 – 2 metër ndërmjet kandidatëve gjatë gjithë proceseve të zhvillimit të provimit;
– mundësinë e kryerjes së provimit në kabina të veçanta për secilin kandidat, duke respektuar distancën fizike nga njëri – tjetri;
– pajisjen me mjetet e duhura mbrojtëse si maska dhe doreza plastike, të stafit të institucionit dhe personave të jashtëm, të përfshirë në proceset e zhvillimit të provimit.

Gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e mëposhtme:
1. të paraqitet pranë QSHA-së, i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike;
2. të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5 – 2 metër nga kandidatët e tjerë;
3. të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit;
4. të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit;
5. të mos ketë me vete celularë, çantat dhe sende të tjera personale, të panevojshme për zhvillimin e provimit.

6. Kandidati duhet të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar dhe të jetë i pajisur me:

– Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal);

– Kopje të Kartës ID ose Pasaportës;

– Faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA-së, të kryer në një bankë të nivelit të dytë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA-së, http://qsha.gov.al/DPSH/fatura.html. Vëmendje: fatura të ketë vulën e bankës përkatëse;

Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provim.

7. Kandidati duhet të mbajë parasysh sa më poshtë:
– Ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi ky vlerësohet si kriter skualifikimi;
– Ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit;
– Ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit.
Për të gjithë kandidatët e regjistruar, lutemi të verifikoni paraprakisht emrin, mbiemrin, si dhe orarin e provimit në faqen zyrtare të QSHA, në adresën www.qsha.gov.al, “Provimet e Shtetit”, rubrika “Njoftime”, “Lista e kandidatëve për provimin e specializimeve të ciklit të tretë në fushën e mjekësisë”.

 

Në rast pasaktësish kandidatët duhet t’i drejtohen fakultetit përkatës.
Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar në faqen zyrtare të QSHA-së dhe fakultetit përkatës.

Ju urojmë Suksese!