THIRRJE PËR APLIKIM NË RRJETIN STUDENTOR TË EKSELENCËS TË UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Një libër, një stilolaps, një student dhe një pedagog mund ta ndryshojnë botën
Malala Yousafzai
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë hap thirrjen për aplikim në Rrjetin Studentor të Ekselencës.
Ky rrjet synon të pasqyrojë tërësinë e vlerave si: Demokracia e brendshme, Transparenca, Ekselenca, Intergriteti, Lidershipi, Eksperienca midis studenteve, Gjithëpërfshirja, Diversiteti, të përvojave dhe qëllimeve të studentëve ekselentë të Universitetit të Mjekësisë, nxitjen e tyre për shprehjen e mendimeve me qëllim rritjen akademike, personale dhe profesionale të të gjithë studentëve të Universitetit te Mjekësisë, Tiranë.
Rrjeti Studentor i Ekselencës (NES-UMeD) do të kontribuojë në jetën akademike e sociale të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, përkatësisht në:
- Pasurimin e përvojave studentore duke krijuar një komunitet bashkëpunues që nxit një jetesë të ekuilibruar dhe të qëndrueshme.
- Përgatitjen dhe angazhimin e studentëve për të udhëhequr, mësuar dhe jetuar në një shoqëri globale.
- Krijimin dhe zgjerimin e mundësive të ndryshme për studentët, si dhe të marrëdhënieve të qëndrueshme midis studentëve dhe aktorëve (stakeholders) kryesore.
- Zhvillimin dhe mbështetjen e mënyrave të reja për përfshirjen e studentëve në Universitet.
- Identifikimin e nevojave kryesore të studentëve dhe të Universitetit dhe dhënien e mendimeve/propozimeve rreth përmbushjes së këtyre nevojave.
- Angazhimin e studentëve si qytetarë të përgjegjshëm, të cilët japin kontributin e tyre social dhe profesional përmes udhëheqjes, njohurive dhe shërbimit që ata i bëjnë shoqërisë.
Kriteret e aplikimit për Rrjetin Studentor të Ekselencës, UMT
- Aplikanti duhet të jetë student i UMT-së, në një nga programet e ciklit të parë (Bachelor) ose të dytë (Master i integruar ose Master i shkencave) me kohë të plotë.
- Të ketë përfunduar të paktën vitin e parë të studimeve dhe të ketë notë mesatare aritmetike (të thjeshtë) > 9 të rezultateve të studimeve.
Dokumentacioni për aplikim i kandidatit për Rrjetin e Studentëve të Ekselencës
- Formulari aplikimit i plotësuar nga aplikanti Kliko këtu
(formulari i aplikimit me të dhënat tuaja, të dorëzohet pranë Sektorit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë).
Afati i aplikimit – deri më datë 28 Shkurt 2019
Duke besuar se e Nesërmja e Mjekësisë Shqiptare u përket studentëve të së Tashmes, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë fton të gjithë studentët e ekselencës të jenë pjesë e këtij rrjeti.