Ndahet nga jeta, Prof. Dr. Feçor Agaçi

Ndahet nga jeta, Prof. Dr. Feçor Agaçi

“Kur ne bëjmë plane, Zoti fillon të qeshë” – shprehej shpesh Prof. Agaçi në bisedat e tij me miqtë.
Kushdo që ka pasur fatin të jetë student apo koleg i tij, do të kujtojë medoemos urtinë e tij dhe pasionin jo vetëm për mjekësinë, por edhe për letërsinë.
Një pasion, që mbështjell figurën e një personaliteti që  krijon një boshllëk me ikjen tij.
Prof. Feçor Agaçi u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1968.
Punoi si mjek i përgjithshëm në Spitalin Civil të Beratit, si dhe në Poliklinikën Qendrore të këtij qyteti nga viti 1969 deri në vitin 1972.
Nga viti 1972 Prof.Feçor Agaci u emërua pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës.
Ka dhënë leksione në lëndën e Fiziologjisë Patologjike dhe më pas në lëndën e  Endokrinologjisë nga viti 1972 deri në vitin 2010.
Nga viti 1992 deri në vitin 1993 u specializua në fushën e endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare në Masachusetts, në Shtetet e Bashkuara.
Ka qenë shef i Shërbimit të të Endokrinologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë nga viti 1993 deri në vitin 2001 dhe nga viti 2006 deri në vitin 2010.
Nga viti 2013 deri në vitin 2020 ka punuar si konsulent në fushën e endokrinologjisë në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive ” Shefqet Ndroqi” Tiranë.
Aktiviteti shkencor i Prof. Feçor Agacit do të shfaqej në artikuj të shumtë shkencorë në shtypin periodik kombëtar dhe ndërkombëtar, në bashkëautorësinë e tekstit mësimor për studentët “Endokrinologjia – Diabeti – Metabolizmi”
Fusha e Endokrinologjisë përmban disa libra me autorësinë e Prof. Feçor Agaçit. Ndër titujt kryesorë përmendim- “Bisedë për Diabetin e Sheqerit 141 pyetje – 141 përgjigje”, “Sëmundjet e Tiroides”. Urgjencat Endokrine – një libër që shpëton jetë.
Universiteti i Mjekësisë shpreh ngushëllimet për familjen dhe kolegët e Prof.Dr. Feçor Agaçit.