Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i akordon titullin ‘Doctor Honoris Causa’ Prof. Fabio Roversi Monaco

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i akordon titullin ‘Doctor Honoris Causa’ Prof. Fabio Roversi Monaco

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë,  ka nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” Prof. Fabio Roversi Monaco, me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në hartimin e politikave Evropiane për unifikimin e sistemeve universitare”  në një ceremoni të zhvilluar me praninë e Senatit Akademik dhe përfaqësuesve të Ambasadës Italiane në Tiranë.

Rektori  i Universitetit  të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata, u shpreh se Senati Akademik vendosi të akordojë këtë titull duke njohur dhe njëkohësisht duke qenë i vetëdijshëm për  kontributin e çmuar që personaliteti në fjalë ka dhënë në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimet në planin universitar.

Prof. Fabio Roversi Monaco është një figurë qëndrore e arsimit universitar dhe botës akademike Italiane, Evropiane dhe ndërkombëtare.  Ai ka qenë ideatori i Procesit të Bolonjës, i cili u kontretizua me nënshkrimin e Kartës së Bolonjës në vitin 1989 nga 29 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Karta e Bolonjës është baza e të gjitha sistemeve Evropiane të arsimit të lartë.
Prof. Fabio Roversi Monaco ka qenë ideatori i Magna Charta Universitatum e firmosur nga 900 rektorë universitetesh.

Ky personalitet unik është vlerësuar nga universitete të ndryshme në botë me titullin “Doctor Honoris Causa” dhe ka mbajtur pozicione të ndryshme si: President i Akademisë së Arteve të Bukura të Bolonjës, President i Sekretariatit Evropian për Publikime Shkencore etj. Aktiviteti i Prof. Fabio Roversi Monaco nuk mund të përshkruhet shkurtimisht, pasi mbart brenda vetes shumë përgjegjësi dhe histori.
Prof. Fabio Roversi Monaco mban “Titullin e Kryqit të Madh të Republikës Italiane”, atë të “Legjionit të Nderit në Republikën Franceze” e shumë tituj të tjerë.

Është në nderin e padiskutueshëm të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, t’i akordojë titullin “‘Doctor Honoris Causa” Prof. Fabio Roversi Monaco.