Përbërja e Senatit, është si më poshtë vijon:

Rektori i Universitetit, i cili është dhe Kryetari i Senatit,
– 12 (dymbëdhjetë) përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë,
– 4 (katër) përfaqësues nga Fakulteti i Shkencave Mjekësorë Teknike
– 2 (dy) përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare,
– 2 (dy) përfaqësues të studentëve (10 %),
Me propozim të Rektorit, Senati Akademik zgjedh nga anëtarët e tij Nënkryetarin.

Mandati i Senatit është 4 vjeçar. Mandati i anëtarit të Senatit Akademik merr fund:
– Me mbarimin e afatit;
– Me dorëheqje;
– Kur ndërpret marrëdhëniet pedagogjike, studimore apo të punës me UMT;
– Kur mungon pa arsye radhazi, në 6 seanca mbledhjesh të tij;
– Kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Vendi i mbetur vakant plotësohet sipas renditjes në listën përkatëse të kandidatëve gjatë votimit për Senatin Akademik. Kur nuk ka të tillë, Rektori thërret zgjedhjet për anëtar të zgjedhur të Senatit Akademik.

Senati Akademik ka këto kompetenca:
Senati me iniciativën e tij ose me propozim të Këshillit të Fakultetit i propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës hapjen, riorganizimin dhe mbylljen e programeve të studimit apo pjesë të tyre kur cënojnë objektivat bazë:

  • I propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës kriteret dhe kuotat e pranimeve në UMT, si dhe tarifat e regjistrimit dhe të shkollimit sipas propozimeve të Këshillave të Fakulteteve;
  • Përcakton kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve për studentë të ciklit të parë sipas propozimeve të Këshillit të Fakultetit dhe ia paraqet ato për miratim MASH-it;
  • Miraton projektet e marrëveshjeve apo kontratave të bashkëpunimit me të tretë, të cilat i nënshkruan Rektori në emër dhe për llogari të Universitetit;
  • Me ankim apo me kërkesë, shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të Këshillit të Fakultetit. Kur konstaton se ato janë në kundërshtim me ligjin për Arsimin e Lartë dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, ia kthen për shqyrtim edhe njëherë Këshillit të Fakultetit me sugjerimet përkatëse. Nëse Këshilli i Fakultetit merr përsëri një vendim në kundërshtim me aktet normative në fuqi, Senati Akademik vendos ndryshimin ose shfuqizimin e tij;
  • Miraton hapjen e filialeve, krijimin e qendrave apo kurseve të posaçme, si dhe projekteve të tjera të shërbimit, bazuar në propozimin e Këshillit të Fakultetit përkatës;
  • Miraton rastet e trajtimit të posacëm të pedagogëve, studiuesve dhe studentëve me aftësi e rezultate veçanërisht të larta e të rëndësishme;
  • Përzgjedh anëtarët e Këshillit të Etikës dhe miraton rregulloren e këtij këshilli;
  • Me propozim të Rektorit krijon komisione të përhershme të tij për të ndjekur drejtimet më të rëndësishme të veprimtarisë së institucionit;
  • I propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës hapjen, riorganizimin apo mbylljen e njësive të reja kryesore;
  • Shqyrton dhe vlerëson kërkesat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për hapjen e programeve të reja të studimit në fusha prioritare;
  • Me propozim të Këshillit të Fakultetit, miraton pështatjen e programeve/profileve të studimeve të miratuara që nuk cënojnë objektivat bazë të tyre;
  • Shqyrton kërkesën dhe merr vendimin për t’i propozuar Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë, Komisionin Vlerësues për shqyrtimin e kërkesës së kandidatit për titullin “Prof.”.

Në ushtrim të kompetencave, si dhe me dhënie mendimi kolegjial, Senati Akademik shpreh vullnetin e tij me vendime të cilat kanë fuqi të drejtpërdrejtë.

Referencë: Statuti i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Nenet 14, 15 dhe 16, miratuar nga Senati Akademik, më datë 07.06.2013. Ndryshuar me Vendimin e Senatit Akademik Nr.23, datë 19.03.2016 “Për miratimin e disa ndryshimeve në Statutin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, Miratuar me Shkresën e Ministrit të Arsimit dhe Sportit Nr.2834 Prot., datë 29.03.2016 “Miratimi i ndryshimeve të Statutit”