Vizitë në Universitetet Tor Vergata, La Sapienza dhe Spitalin Bambino Gesù
Në kuadër të Ndërkombëtarizimit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në datën 5 prill 2022, delegacioni shqiptar i përbërë nga Ministrja përgjegjëse për Shëndetësinë, Zj. Ogerta Manastirliu, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Arben Gjata, Zv/Rektor i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Alma Idrizi, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Xheladin Draçini, Shefja e Departamentit të Pediatrisë, Prof. Anila Godo zhvilluan takime në dy Universitetet prestigjioze të Romës, Tor Vergata, La Sapienza si dhe në Spitalin Bambino Gesù.
Në takimin me Rektorin e Universitetit Tor Vergata, Prof. Orazio Schillaci, u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy Universiteteve jo vetëm në Programin Erasmus+, i cili ka rezultuar i suksesshëm deri tani në shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik e administrativ, por edhe për shkëmbimin e përvojave të mjekëve të specialiteteve të ndryshme, sidomos në disa fusha prioritare për shëndetësinë tonë si: mjekësia nukleare, radiologjia invazive, onkologjia dhe edukimin në vazhdim të ekipeve mjekësore.
Në takimin me Rektoren e Universitetit La Sapienza, Prof. Antonella Polimeni dhe Zv/Rektorin Bruno Botta, u diskutua për nënshkrimin së shpejti të “Marrëveshjes së Bashkëpunimit” ndërmjet dy Universiteteve tona në:
- shkëmbimin e anëtarëve të fakulteteve dhe stafit, studentëve të diplomuar dhe universitarë;
- zbatimin e përbashkët të projekteve kërkimore;
- shkëmbimin e dokumentacionit, informacionit shkencor dhe publikimeve;
- ndërveprimin nëpërmjet takimeve, seminareve, zhvillimin e kurseve të përbashkëta.
Universiteti La Sapienza sapo është shpallur Universiteti i parë në Botë në rankimin e Universiteteve për Shkencat Shoqërore.
Takimi përmbyllës u zhvillua në Spitalin Pediatrik të Romës “Bambino Gesù”, me Presidenten e këtij spitali, Zj. Mariella Enoc. Me këtë spital u dakordësua për një marrëveshje të re, për një platformë të përbashkët për rritjen e kapaciteteve të mjekëve të specializuar si dhe për mbështetjen e pacientëve të vegjël me sëmundje të rralla.