Vizitë në Universitetet Tor Vergata, La Sapienza dhe Spitalin Bambino Gesù

Vizitë në Universitetet Tor Vergata, La Sapienza dhe Spitalin Bambino Gesù

Në kuadër të Ndërkombëtarizimit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në datën 5 prill 2022, delegacioni shqiptar i përbërë nga Ministrja përgjegjëse për Shëndetësinë, Zj. Ogerta Manastirliu, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Arben Gjata, Zv/Rektor i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Alma Idrizi, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Xheladin Draçini, Shefja e Departamentit të Pediatrisë, Prof. Anila Godo zhvilluan takime në dy Universitetet prestigjioze të Romës, Tor Vergata, La Sapienza si dhe në Spitalin Bambino Gesù.

 Në takimin me Rektorin e Universitetit Tor Vergata, Prof. Orazio Schillaci, u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy Universiteteve jo vetëm në Programin Erasmus+, i cili ka rezultuar i suksesshëm deri tani në shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik e administrativ, por edhe për shkëmbimin e përvojave të mjekëve të specialiteteve të ndryshme, sidomos në disa fusha prioritare për shëndetësinë tonë si: mjekësia nukleare, radiologjia invazive, onkologjia dhe edukimin në vazhdim të ekipeve mjekësore.

 Në takimin me Rektoren e Universitetit La Sapienza, Prof. Antonella Polimeni dhe Zv/Rektorin Bruno Botta, u diskutua për nënshkrimin së shpejti të “Marrëveshjes së Bashkëpunimit” ndërmjet dy Universiteteve tona në:

  1. shkëmbimin e anëtarëve të fakulteteve dhe stafit, studentëve të diplomuar dhe universitarë;
  2. zbatimin e përbashkët të projekteve kërkimore;
  3. shkëmbimin e dokumentacionit, informacionit shkencor dhe publikimeve;
  4. ndërveprimin nëpërmjet takimeve, seminareve, zhvillimin e kurseve të përbashkëta.

 Universiteti La Sapienza sapo është shpallur Universiteti i parë në Botë në rankimin e Universiteteve për Shkencat Shoqërore.

Takimi përmbyllës u zhvillua në Spitalin Pediatrik të Romës “Bambino Gesù”, me Presidenten e këtij spitali, Zj. Mariella Enoc. Me këtë spital u dakordësua për një marrëveshje të re, për një platformë të përbashkët për rritjen e kapaciteteve të mjekëve të specializuar si dhe për mbështetjen e pacientëve të vegjël me sëmundje të rralla.