CEREMONIA E DHËNIES SË TITULLIT “DOCTOR HONORIS CAUSA”  PËR PROF. DR. ASIM KURJAK

CEREMONIA E DHËNIES SË TITULLIT “DOCTOR HONORIS CAUSA” PËR PROF. DR. ASIM KURJAK

Ditën e Enjte, më datë 16.07.2015, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë organizon Ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Asim Kurjak. Ceremonia do të zhvillohet në Sallën e Profesorëve të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në orën 10:00.

Në këtë ceremoni do të jenë të ftuar personalitete nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë, si dhe personalite të tjera të vendit. Kjo ceremoni është një vlerësim në sajë të kontributit të madh që Prof. Dr. Asim Kurjak ka dhënë në Shqipëri, duke asistuar mjekët obstetër-gjinekologë. Prof. Dr. Asim Kurjak ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1995, i ftuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti i Mjekësisë, për të promovuar përdorimin e ekografisë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë në vendin tonë. Ai ka kontribuar me aparate të reja ekografie, si donacion për Maternitetin e Tiranës, në një kohë kur nevoja e spitalit për këto aparatura ishte e madhe. Prof. Kurjak ka zhvilluar trajnimin e mjekëve shqiptarë në fushën e ekografisë, duke dhënë eksperiencën e tij në trajtimin e një sërë rastesh të ndërlikuara në fushën e diagnozës, parandalimit dhe trajtimit të patologjive të ndryshme obstetrikale dhe gjinekologjike.

Prof. Dr. Asim Kurjak është themeluesi i Shkollës Ndërkombëtare pasuniversitare të studimeve të avancuara në lemin e diagnostikës ultrasonografike – ekografike “Ian Donald”, e cila konsiderohet sot si struktura më e madhe dhe më e rëndësishme ndërkombëtare e trajnimit në fushën e ekografisë obstetrikale dhe gjinekologjike. Ajo është e pranishme në 75 vende të botës dhe janë me mijëra mjekë që ndjekin çdo vit kurset e kësaj shkolle në mbarë botën (vetëm në vitin 2014 ndoqën kurset e kësaj shkolle rreth 6069 mjekë). Ai ka dhënë një ndihmesë të çmuar për hapjen edhe në Shqipëri të Degës së Shkollës “Ian Donald” të ekografisë. Dega u hap për herë të parë në vitin 2007 nga Shoqata Shqiptare e Perinatologjisë dhe Prof. Kurjak ishte prezent në të gjitha kurset vjetore të ofruara nga kjo shkollë. Ai ka ardhur mbi 10 herë në Shqipëri në kuadër të kurseve dhe aktiviteteve shkencore, si konferenca, seminare, trajnime dhe ka asistuar me njohuritë e tij të gjithë mjekët shqiptarë në fushën e gjinekologji-obstetrikës, po dhe shumë mjekë nga Kosova, Meqedonia dhe Mali i Zi. Me njohuritë e tij të vyera pedagogjiko-shkencor, ka dhënë një kontribut të shquar duke ndihmuar me pasion dhe me profesionalizëm të lartë ekipin e mjekëve tanë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë.
Prof. Asim Kurjak merr pjesë vazhdimisht si i ftuar nderi në Kongreset e Shoqatës Shqiptare të Mjekësisë Perinatale dhe në Kurset e Avancuara të Ekografisë në Obstetrikë-Gjinekologji, të Shkollës “Ian Donald”, që organizohen nga Shoqata Shqiptare e Perinatologjisë dhe Departamenti i Obstetrikë–Gjinekologjisë i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Prof. Kurjak ka dhënë, gjithashtu, një kontribut shkencor të jashtëzakonshëm duke botuar mbi 111 libra (nga të cilat 65 janë në gjuhën angleze) dhe më shumë se 550 artikuj, të cituara si referencë kryesore në fushën shkencore me mbi 5350 herë.
Prof. Kurjak ka qenë ndër vite Përgjegjës i Departamentit të Obstetrikë-Gjinekologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Zagrebit, Drejtor i Institutit të Ekografisë të Universitetit të Zagrebit, Drejtor i World Health Organisation Collaboration Centre for Ultrasound in Developing Countries, dhe së fundi Rektor i Universitetit Ndërkombëtar të Dubrovnikut (DIU). Është “Doctor Honoris Causa” në 11 universitete të ndryshme në mbarë botën. Në vitin 2000 ai është nderuar nga Shoqata Europiane e Mjekësisë Perinatale me medaljen “Maternity Prize”, si mjeku obstetër me produktiv në fushën e mjekësisë perinatale.

Prof. Asim Kurjak është anëtar i rregullt i Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës, Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, Akademisë Ndërkombëtare për Riprodhimin Njerëzor, Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve të Pulias, Akademisë së Shkencave Mjekësore të Katalonjës; anëtar nderi i Institutit Amerikan të ultrazërit në Mjekësisë dhe Biologji; anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave Mjekësore të Rusisë. Nënkryetar i Akademisë Ndërkombëtare të Mjekësisë Perinatale dhe Drejtor i Ian Donald Inter-University School of Medical Ultrasound.

Në sajë të mirënjohjes për veprimtarinë e shquar në mjekësi dhe kontributit të dhënë në fushën e obstetrikë-gjinekologjisë në Shqipëri, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë organizon Ceremoninë e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Asim Kurjak, duke shprehur kështu falenderimin e mjekëve dhe pacientëve shqiptarë për këtë personalitet të nderuar të mjekësisë.

 

                      REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *