ECURIA E PROJEKTIT EUSCREEN PËR VITIN 2017 DHE PLANIFIKIMI PËR VITIN 2018

ECURIA E PROJEKTIT EUSCREEN PËR VITIN 2017 DHE PLANIFIKIMI PËR VITIN 2018

2017, viti pergatitor i projektit Euscreen, përfundoi per t’u finalizuar me fillimin e depistimit të dëgjimit në katër maternitetet e përzgjedhur, Tiranë, Kukës dhe Pogradec.

Faza përgatitore ka përfshirë takime intensive midis të gjithë partnerëve, duke përfshirë drejtuesit e konsorciumit ndërkombëtar, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse që luajnë role të ndryshëm në këtë projekt. Janë hartuar materialet didaktike dhe trajnuese, duke përfshirë postera, fletëpalosje, etj. si dhe janë realizuar një sërë trajnimesh me stafin shëndetësor në rrethet përkatëse dhe në Tiranë, duke kombinuar ofrimin e informacioneve teorike me seancat praktike për përdorimin e saktë të pajisjeve depistuese. Gjatë 2017 u zhvilluan 4 raunde trajnimi nga te cilat tre të parat, përkatësisht në secilën zonë, synuan informimin dhe sensibilizimin e personelit shëndetësor mbi cështjet e depistimit, zbulimit dhe rehabilitimit të hershëm të dëgjimit. 118 mjekë dhe mami/infermiere morrën pjesë në këto trajnime, të gjitha te akredituara nga QKEV.

Kursi i dytë i trajnimeve, ai teoriko-praktik, gjithashtu i akredituar nga QKEV, përgatiti grupin e personelit dhe administratorëve të cilët do të merren me depistimin ne terren.  I gjithë procesi i trajnimeve u realizua nga pedagogë te FM, UMT nën logon e UMT dhe në bashkëpunim të ngushtë me ASHR-të dhe maternitetet e rretheve.

Maternitetet e Tiranes, ai i Kukesit dhe Pogradecit jane pajisur me aparaturat dhe materialet e nevojshme të konsumit, të nevojshme për realizimin e testeve  sipas protokollit të vendosur. Këto aparatura, në fund të projektit, do t’u dhurohen institucioneve më sipër.

Nga 1 Janari 2018 ka filluar depistimi i dëgjimit tek të porsalindurit në maternitetet e rretheve të përzgjedhura për studim. Pranë ambjenteve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) u mundësua krijimi i kabinetit më të avancuar të audiometrisë në vend, i cili përmbush të gjitha standardet për vendosjen e diagnozës përfundimtare të dëmtimit të dëgjimit, kabinet i cili përgjatë kohëzgjatjes së projektit do mund të përdoret edhe për pacientë të tjerë dhe që do mbetet pjesë e infrastrukturës së QSUT-së edhe pas përfundimit të projektit. Përvec kësaj, të gjitha pajisjet depistuese do të kalojnë nën administrimin e QSUT-së pas përfundimit të projektit, duke përbërë një vlerë të shtuar të tij dhe përfitime konkrete për QSUT-në dhe UMT-në.

Synimi final i projektit në Shqipëri është përfshirja e depistimit të dëgjimit në lindje në protokollin e shërbimeve rutinë që ofrohen për të porsalindurit, si ndërhyrja më kosto-efektive për adresimin e këtyre problematikave dhe me përfitimin maksimal për pacientët dhe shoqërinë.