In memoriam!

In memoriam!

Ndahet nga jeta Prof. As. Dr. Iliriana Shehaj Ruka, mjeke dhe pedagoge, ikonë e idealizmit human dhe mjekësor, një ndër ekspertet më të mira të diagnostikës së sëmundjeve të brendshme.

Ajo punoi plot pasion dhe me një përkushtim të admirueshëm si mjeke në Shërbimin e Hematologjisë, Spitali Nr. 1 që nga viti 1964 dhe si pedagoge e Fakultetit të Mjekësisë në lëndën e Propedeutikës, sot Semiologjia Klinike, që nga viti 1967.

Për shkak të angazhimeve familjare jashtë shtetit, ajo shkëputet disa vjet për t’u rikthyer në vitin 1990 në Shërbimin e Hematologjisë, QSU “Nënë Tereza” dhe si pedagoge e njëkohësisht drejtuese e Katedrës së Semiologjisë Klinike deri me daljen në pension në vitin 2003. Ajo kontribuoi në edukimin e studenteve të Fakultetit të Mjekësisë si dhe formimin profesional të specializantëve në fushën e Hematologjisë dhe Sëmundjeve të Brendshme.

Prof. Iliriana ishtë modeli i mjekut, pedagogut, familjarit dhe simbol i mirësisë e qytetarisë, duke gëzuar respekt tek kolegët, studentët dhe pacientët. Ajo karakterizohej nga një disiplinë e fortë profesionale, përkushtim ndaj pacientëve dhe studentëve, por dallohej dhe për shpirtin e saj artistik. Prof. Iliriana është autore e disa teksteve dhe moduleve mësimore, me të cilët studentët e Fakultetit të Mjekësisë studjojnë ende.

Për këto cilësi Profesoresha jonë do kujtohet gjithmonë me respekt.

Me ikjen e saj familjarët humbën njeriun e tyre të dashur, kolegët humbën një mike dhe mentore të mirë.

U prehsh në paqe Prof. Iliriana!

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes.