Rinjoftim për aplikim në Projekte të Infrastrukturës së Kërkimit Shkencor

Rinjoftim për aplikim në Projekte të Infrastrukturës së Kërkimit Shkencor

Të nderuar pedagogë të UMT,

Ju  njoftojmë se afati i fundit për dorëzim është data 30.07.2021.

Nëpërmjet këtij mesazhi duam t’ju kujtojmë edhe njëherë se po afron afati i dorëzimit të propozimeve për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor.

Udhëzimin e gjeni të publikuar në web-faqen e AKKSHI: http://nasri.gov.al/ dhe “Thirrje për aplikim projekte të infrastrukturës së kërkimit shkencor për vitin 2021.”, publikuar  në http://nasri.gov.al/wp-content/uploads/2021/06/THIRRJE-P%C3%8BR-APLIKIM-P%C3%8BR-PROJEKTE-T%C3%8B-INFRASTRUKTUR%C3%8BS-S%C3%8B-K%C3%8BRKIMIT-SHKENCOR-PIKSH-P%C3%8BR-VITIN-2021.pdf

Gjeni më poshtë disa sqarime lidhur me pyetjet që kanë lindur:

Pyetje: Si do të hartohet buxheti i projektit, përderisa procedura e blerjes së pajisjeve do t’i nënshtrohet Ligjit të prokurimit publik?

Përgjigje: Në këtë rast buxheti do të jetë një buxhet referencë. Për pajisje specifike, ekspertet do të hartojnë specifikimet teknike të pajisjes dhe do t’i referohen manualeve përkatëse.

Pyetje: A lejohet nënkontraktimi, në rastin kur projekti parashikon një shërbim? P.sh. kur në projekt është parashikuar “zhvillimi i një programi software”, a mund të parashikojmë në buxhet nënkontraktimin e një kompanie që e ofron këtë shërbim? 

Përgjigje: Në përgjithësi nënkontraktimi është i lejueshëm për shërbime të cilat nuk mund të ofrohen nga vetë Universiteti ose nga institucione të tjera publike që e kanë këtë mision. Në rastet kur shërbimi i kërkuar ofrohet nga IAL-ja, kosto e këtij shërbimi mund të vihet si bashkëfinancim në projekt. Po kështu në rastet kur shërbimi ofrohet nga një institucion tjetër publik si psh RASH. Edhe në këtë rast kosto e shërbimit nuk mund të mbulohet nga AKKSHI, por llogaritet si një kontribut i RASH ose bashkëfinancim. Kuadri ligjor që ju vjen në ndihmë në këtë rast është Vendimi nr.88, datë 14.2.2018 “Për Krijimin e Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH)”, ku do të gjeni të gjitha shërbimet që ofron RASH për IAL-të.

Pyetje: A lejohet bashkëfinancim nga organizata jo-publike ose biznesi?

Përgjigje: Po lejohet bashkëfinancim i cili mund të jetë mbulimi i pjesshëm i kostos së infrastrukturës së kërkimit shkencor nga një projekt i financuar nga një donator vendas ose i huaj ose nga një organizatë biznesi, me kushtin që të reflektohet në projekt propozim dhe në buxhet.