
PRANIMET NË PROGRAMET E CIKLIT TË PARË, TË INTEGRUARA TË CIKLIT TË DYTË DHE TË CIKLIT TË DYTË, NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË, PËR VITIN AKADEMIK 2023-2024
Në zbatim të ligjit Nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe bazuar në propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, me Vendim nr. 80, datë 07.10.2022, miratoi disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin nr. 17, datë 22.02.2022, mbi kriteret e pranimit në programet e ciklit të parë si dhe në programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, për vitin akademik 2023-2024.
Kandidatët e maturës shtetërore si dhe kandidatët e kategorive të veçanta (përfshirë shqiptarët nga trojet jashtë kufijve, persona me aftësi të kufizuara, persona me statusin e jetimit, Romët dhe Ballkano-Egjiptianët), që aplikojnë për pranim në programin e integruar të ciklit të dytë të studimit “Mjekësi e Përgjithshme”, për vitin akademik 2023-2024, do ti nënshtrohen testimit të informatizuar që do të kryhet në QSHA.
Kriteret e pranimit për kandidatët e kategorive të veçanta janë miratuar me Vendim nr.43, datë 19.04.2023 të Senatit Akademik të UMT-së “Kriteret e pranimit në programin e integruar të ciklit të dytë të studimit “Mjekësi e Përgjithshme” për kandidatët që aplikojnë në kuotat e kategorive të veçanta, për vitin akademik 2023-2024“.