TË DHËNAT PËR ARSIMIN, KUALIFIKIMIN DHE PAGAT E FUNKSIONARËVE TË CILËT SIPAS LIGJIT KANË DETYRIMIN PËR DEKLARIMIN E PASURISË NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË, TIRANË.

Mbështetur në ligjin nr. 9049, datë 10.4 2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të nëpunësve publik” i ndryshuar, si dhe në ligjin nr. 9367, datë 07.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, dy zyrtarët / autoritetet të cilët kanë detyrim për deklarimin e interesave private periodik/vjetor në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, janë:

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Dr. Arben Gjata, ka përfunduar studimet e larta për Mjekësi të Përgjithshme në vitin 1985. Në vitet 1985-1988 përfundoi Specializimin postuniversitar në specialitetin “Kirurgji e Përgjithshme”, dhe më vonë nga 1992-1994 Specializim për kirurgji në “Westfalische-Wilhelm University” në Muenster, Gjermani.

Aktualisht që prej vitit 2014 mban titullin Akademik “Profesor”.

Ka kryer shumë kualifikime dhe specializime të mëvonshme jashtë vendit si Itali, SHBA, Angli, Francë. Prof. Dr. Arben Gjata në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, paguhet me pagën sipas lidhjes nr. 1 të VKM nr. 268 datë 29.3.2017 “Për disa ndryshime në VKM nr. 748 datë 11.6.2009“Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të personelit akademik të institucioneve publike të arsimit të lartë” të ndryshuar, me pagën e pozicionit “Rektor”.

Administratori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Znj. Sonila Shkjezi, ka përfunduar studimet e larta në degën “Drejtësi” në vitin 1995, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të larta, në periudhën 2002-2004 ka ndjekur studimet Master në “Të Drejtën e Sigurimeve”, në Fakultetin e Drejtësisë, Ekonomisë dhe Shkencave Politike, Universiteti Aix- Marseille III, Francë. Në periudhën 2005-2006 ka frekuentuar studimet Master në “Administrim Ndërkombëtar të Biznesit” MBA, Universiteti Montesquieu-Bordeaux IX, Francë. Në mars 2007 është pajisur me titullin “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Në qershor 2011 ka marrë titullin “Auditues i Brendshëm në Sektorin Publik”, diplomë e Ministrisë së Financave dhe në qershor 2013 ka marrë titullin “Ndërmjetës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, licencë e Ministrisë së Drejtësisë.

Znj. Shkjezi ka kryer shumë kualifikime dhe specializime të mëvonshme brenda dhe jashtë vendit dhe në cilësinë e Administratores së Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, paguhet me pagën, sipas lidhjes nr. 7 të VKM nr. 187 datë 8.3.2017 “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, zëvendësministrit dhe nëpunësve të kabineteve, në kryeministri, aparatet e ministrive të linjës, administratën e presidentit, kuvendit, komisionit qendror të zgjedhjeve, gjykatën e lartë, prokurorinë e përgjithshme, disa institucione të pavarura, institucionet në varësi të kryeministrit, institucionet në varësi të ministrave të linjës dhe administratën e prefektit” i ndryshuar, kategoria II-b.

http://umed.edu.al/wp-content/uploads/2021/09/Short-Bio-Sonila.docx

 

PROCEDURA E ZGJEDHJES, KOMPETENCAT DHE DETYRAT E FUNKSIONARËVE TË LARTË TË UMT-së, PROCEDURA QË ATA NDJEKIN PËR TË MARRË VENDIME.

Zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe organet drejtuese në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë si institucion publik i arsimit të lartë, zhvillohen në mënyrë periodike, çdo katër vjet, njëherësh në të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik në Republikën e Shqipërisë.

Ato shpallen me Urdhër të veçantë nga Ministria përgjegjëse për arsimin, më pas sipas përcaktimeve të akteve ligjore e nënligjore në fuqi si dhe atyre të brendshme të universitetit, vijojnë procesin zgjedhor në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.

Më konkretisht, informacion më të zgjeruar sa i përket procesit zgjedhor mund ti referohemi publikimeve në faqen zyrtare të UMT-së (umed.edu.al).

 

KOMPETENCAT DHE DETYRAT E FUNKSIONARËVE TË LARTË TË UMT-SË.

Rektori është autoriteti më i lartë akademik i UMT-së, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare.

Funksionet e Rektorit janë trajtuar më gjerësisht në nenin 29 të Statutit të UMT-së.

 

Rektori kryen funksionet si më poshtë:

  1. është kryetar i Senatit Akademik dhe raporton para tij;
  2. drejton dhe përfaqëson UMT-në në marrëdhënie me të tretët për çështjet akademike dhe protokollare;
  3. është anëtar i Konferencës së Rektorëve;
  4. ushtron kontrollin e ligjshmërisë mbi autoritetet drejtuese të njësive kryesore;
  5. nënshkruan diplomat në përfundimin e programeve të studimit që janë organizuar në UMT, pa të drejtë për të deleguar nënshkrimin e tij;
  6. nënshkruan titujt akademikë “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar” dhe gradat shkencore “Doktor”, pas miratimit të tyre, pa të drejtë për të deleguar nënshkrimin e tij;
  7. propozon kandidatin zëvendësrektorit/ëve për miratim në Senatin Akademik dhe e/i emëron ose shkarkon atë/ata pas miratimit të Senatit Akademik;
  8. emëron drejtues të njësisë kryesore kandidatin fitues të zgjedhjeve;
  9. nënshkruan marrëveshje për bashkëpunime të UMT-së me institucione të arsimit të lartë, vendase dhe të huaja, shoqata e organizata të ndryshme, në kuadër të realizimit të interesave akademike për shkëmbim përvoje dhe bashkëpunim në procesin mësimor-shkencor, si dhe për kualifikimin e punonjësve akademikë. Për projekt-marrëveshje apo kontrata bashkëpunimi të veçanta me të tretët, rektori mund të marrë dhe miratimin e Senatit Akademik të UMT-së;
  10. i propozon ministrit përgjegjës për arsimin shkarkimin e drejtuesit të njësisë kryesore në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose shkeljeve të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore, pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës të UMT-së. Ministri shprehet brenda një muaji. Në rast shkarkimi, rektori, brenda 2 (dy) muajve nga data e shkarkimit, cakton në detyrë njërin prej zëvendësve të drejtuesit të njësisë kryesore, deri në zgjedhjen e autoritetit të ri. Menjëherë pas shkarkimit, shpall zgjedhje të parakohshme, të cilat kryhen brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e shkarkimit.;
  11. ngre komisione dhe grupe pune të përkohshme, të cilëve iu ngarkon detyra të veçanta;
  12. merr masa disiplinore dhe administrative për personelin e UMT-së në vartësi të tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe këtë statut;
  13. miraton dhe vendos përjashtimin e studentëve nga UMT-ja për rastet e parashikuara në këtë statut dhe në rregullore;
  14. merr pjesë, pa të drejtë vote, kur i kërkohet ose me nismën e tij, në mbledhjet e organeve dhe njësive përbërëse të UMT-së, në të cilat nuk bën pjesë ligjërisht ose sipas këtij statuti;
  15. i kërkon informacion Bordit të Administrimit për çështje të kompetencës së tij;
  16. i paraqet për miratim Senatit Akademik dhe, më pas, Bordit të Administrimit, propozimin e Rektoratit për strukturën e përgjithshme dhe numrin e personelit të institucionit për të gjitha nivelet;
  17. i paraqet për miratim Senatit Akademik planin strategjik të zhvillimit të institucionit;
  18. nënshkruan kontratat e punës për personelin akademik, ndihmësakademik me karakter akademik dhe ndihmësakademik me karakter administrativ të UMT-së. Emërimi dhe shkarkimi i personelit kryhet në përputhje me kriteret, organikën e miratuar dhe legjislacionin në fuqi;
  19. miraton kërkesat e personelit akademik për punësim me kohë të pjesshme vetëm në një institucion tjetër të arsimit të lartë, pas miratimit nga drejtuesi i njësisë bazë dhe drejtuesi i njësisë kryesore;
  20. zgjidh çështjet e kompetencës mes organeve dhe drejtuesve të njësive të UMT-së;
  21. zgjidh mosmarrëveshjet midis drejtuesve të njësive kryesore, si dhe midis drejtuesit të njësisë kryesore dhe drejtuesit të njësisë bazë;
  22. ushtron kontrolle, me nismën e tij apo me kërkesë të organeve/autoriteteve drejtuese, për cilësinë e mësimdhënies, kërkimin shkencor dhe zbatimin e kontratave të punës;
  23. përcakton fushën e veprimit të zëvendësrektorëve dhe bën ndryshimin e tyre kur e sheh të arsyeshme për nevoja të institucionit, në rastet dhe mënyrën e parashikuar në rregulloren e UMT-së;
  24. i delegon firmën njërit prej zëvendësrektorëve në varësi të tij, për kryerjen e detyrave të caktuara, kur e gjykon të arsyeshme, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi;
  25. paraqet kërkesat akademike, administrative dhe financiare tek administratori i UMT-së;
  26. autorizon, në rast nevoje, hyrjen e forcave të rendit në mjediset e universitetit;
  27. shtron për diskutim në Rektorat ankesat e bëra ndaj vendimeve të organeve të ndryshme të njësive kryesore;
  28. ka të drejtë të marrë pjesë, kur e çmon të arsyeshme, në mbledhjet e Bordit të Administrimit, ku mund të paraqesë sugjerime, opinione dhe rekomandime, me qëllim përmirësimin e punës, orientimin më të mirë në administrimin e institucionit dhe interesit më të lartë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë;
  29. ushtron kompetenca të tjera të parashikuara në këtë statut dhe akte të tjera të UMT-së.

Administratori i UMT-së, është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të universitetit. Ai është përfaqësuesi ligjor i UMT-së për çështjet financiare dhe administrative.  Funksionet e administratorit janë trajtuar më gjerësisht në nenin 55 të Statutit të UMT-së.

 

Administratori i UMT-së ushtron këto funksione:

  1. është përgjegjës për veprimtarinë e përgjithshme administrative dhe financiare të UMT-së;
  2. është drejtuesi administrativ i UMT-së, zbaton vendimet e marra nga Bordi i Adminsitrimit dhe raporton tek ky i fundit, që është eprori direkt i tij;
  3. planifikon, organizon dhe drejton veprimtarinë e UMT-së, nëpërmjet drejtimit administrativ;
  4. i paraqet Bordit të Administrimitpër miratim rregulloren financiare të universitetit, si dhe strukturën dhe kriteret e emërimit të punonjësve administrativë;
  5. emëron dhe shkarkon personelin administrativ të varësisë funksionale të UMT-së, në përputhje me kriteret, organikën e miratuar dhe legjislacionin në fuqi;
  6. emëron dhe shkarkon administratorët e njësive kryesore dhe njësive bazë, pas miratimit të Bordit të Administrimit;
  7. kontrollon zbatimin e rregullave të etikës nga administrata dhe merr masat e duhura disiplinore ndaj shkeljeve të konstatuara vetëm për personelin administrativ në varësi të tij;
  8. menaxhon personelin administrativ në varësinë funksionale të tij, në mënyrë që veprimtaria e stafit të përmbushet si duhet dhe në kohën e duhur;
  9. ushtron përgjegjësitë menaxheriale si Nëpunës Autorizues i UMT-së, sipas legjislacionit për menaxhimin financiar dhe kontrollin;
  10. miraton planet vjetore të punës së njësive në varësi të tij dhe kontrollon realizimin e tyre;
  11. përfaqëson UMT-në përpara institucioneve shtetërore, apo subjekteve të tjera për çështje administrative dhe financiare;
  12. nxjerr urdhra dhe akte të tjera në funksion të drejtimit të veprimtarisë administrative e financiare brenda institucionit;
  13. ushtron funksionet dhe përgjegjësitë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, bazuar në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik;
  14. koordinon punën për përgatitjen e programit buxhetor afatmesëm 3-vjeçar për UMT-në;
  15. harton projektbuxhetin vjetor, mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë, mbështetur në planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe në planin buxhetor afatmesëm të tij;
  16. propozon kriteret për administrimin e burimeve financiare dhe materiale, të cilat ia paraqet për miratim Bordit të Administrimit dhe mbikëqyr shpërndarjen e zbatimin e tyre;
  17. propozon në Bordin e Administrimit të UMT-së ndryshimin e destinacionit të fondeve sipas kërkesave të njësive shpenzuese të UMT-së;
  18. miraton detajimin e fondeve buxhetore, të shpërndara për çdo njësi shpenzuese;
  19. shqyrton kërkesat dhe miraton rishpërndarjet brenda të njëjtit artikull buxhetor të shpenzimeve korrente, pa tejkaluar limitet buxhetore të miratuara nga Bordi i Administrimit;
  20. ndjek dhe kontrollon zbatimin e buxhetit vjetor të UMT-së;
  21. raporton te Bordi i Administrimit mbi realizimin e buxhetit vjetor përmbledhës të UMT-së;
  22. përgatit dhe raporton te Bordi i Administrimit analizën vjetore përmbledhëse për cilësinë e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë;
  23. i paraqet Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik raportin mbi veprimtarinë financiare të institucionit të arsimit të lartë, në përfundim të vitit akademik;
  24. mund të delegojë një ose disa nga kompetencat e tij tek personeli në varësinë e tij, sipas rregullave që parashikon Kodi i Procedurave Administrative;
  25. siguron realizimin e kërkesave me karakter administrativ dhe financiar të Senatit Akademik dhe rektorit, me qëllim përmbushjen e nevojave akademike, administrative dhe financiare;
  26. zbaton përfundimet e angazhimit të auditimit sipas legjislacionit në fuqi dhe njofton periodikisht Bordin e Administrimit;
  27. nënshkruan kontratat e punës për personelin administrativ në varësi të tij, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
  28. në bashkëpunim me strukturat akademike dhe administrative të universitetit, propozon dhe ndjek realizimin e një plani afatmesëm/afatgjatë me detyra të sakta e me afate kohore, për gjenerimin e të ardhurave alternative, duke synuar rritjen graduale të pavarësisë.