CEREMONIA E “BLUZAVE TË BARDHA” PËR STUDENTËT E VITIT TË PARË TË FAKULTETIT TË MJEKËSISË ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT TË RI AKADEMIK

CEREMONIA E “BLUZAVE TË BARDHA” PËR STUDENTËT E VITIT TË PARË TË FAKULTETIT TË MJEKËSISË ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT TË RI AKADEMIK

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2015-2016, ditën e Hënë, më datë 12 Tetor 2015, në auditorin e Lëndëve Paraklinike të Fakultetit të Mjekësisë së Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u organizua Ceremonia e “Bluzave të Bardha”. Ky aktivitet priti studentët e ri të cilët për herë të parë u ulën në bankat e këtij Fakulteti dhe nisën rrugëtimin e tyre gjashtëvjeçar në fushën e mjekësisë. Në këtë event morën pjesën Prof. Dr. Arben Gjata Rektor i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Asc. Suela Këlliçi, Zv. Rektore e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë, Znj. Linda Pustina, Drejtore e Drejtorisë së Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Prof. Dr. Xheladin Draçini, Zv. Dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe Prof. Dr. Ariel Çomo, Zv. Dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Pjesëmarrës ishin stafi i nderuar akademik dhe administrativ i Fakultetit të Mjekësisë dhe stafi administrativ i Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Gjatë këtij eventi u shperndanë bluzat e bardha për të gjithë studentët e vitit parë të Fakultetit të Mjekësisë dhe u zhvillua mireseardhja e tyre në këtë Fakultet.

Në fjalën e saj, Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Mira Rakacolli, falënderoi studentët që kanë zgjedhur degën e mjekësisë dhe e quajti këtë zgjedhje të tyre si një vokacion të shenjtë dhe human në ndihmë të shoqërisë. “Mjekësia është një vokacion dhe një përgjegjësi që ju do të mësoni të vlerësoni për të qenë, jo vetëm mjekë të mirë dhe profesionalë, por edhe persona të përkushtuar dhe humanë, siç janë pedagogët tuaj që janë të pranishëm sot dhe do të jenë pranë jush gjatë viteve të studimit në Fakultetin tonë”, tha Prof. Dr. Mira Rakacolli.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Arben Gjata, u shpreh se sot për herë të parë shpërndahen bluzat e bardha nga Fakulteti i Mjekësisë për studentët e vitit të parë dhe këto bluza do t’ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës tuaj. “Siç janë të bardha këto bluza, ashtu duhet t’i mbani gjatë gjithë jetës dhe të nderoni profesionin e mjekut, duke qenë njerëz dhe studiues të mirë jo vetëm në keto banka të Fakultetit, por edhe gjatë jetës tuaj me edukimin në vazhdim”, tha Prof. Dr. Arben Gjata.

Znj. Linda Pustina, Drejtore e Drejtorisë së Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, shprehi urimet më të mira për studetët e ri dhe tha se ndjehet e emocionuar që ndodhet në këtë aktivitet të organizuar nga Fakulteti i Mjekësisë dhe përgëzon Fakultetin për këtë iniciativë. “Është një nder që të jem sot këtë pranë jush dhe t’ju uroj fillim të mbarë të studimeve të juaja në këtë Fakultet të rëndësishëm. Ky Fakultet disponon profesoratin elitar të vendit tonë dhe duhet të jeni krenar për këtë arritje të juaj”.

Zv. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, lexoi përpara studentëve “Betimin e Hipokratit” dhe të gjithë studentët, mjekët e ardhshëm, u betuan njëzëri.

 

                  REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 13.10.2015

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *