LEKSION I HAPUR MBI DHUNËN NDAJ GRAVE I ZONJËS  ARIEL AHART NË REKTORATIN E UNIVERSITETIT TË  MJEKËSISË, TIRANË

LEKSION I HAPUR MBI DHUNËN NDAJ GRAVE I ZONJËS ARIEL AHART NË REKTORATIN E UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Ditën e Enjte, më datë 4 Qershor 2015, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë priti në ambjentet e Rektoratit Dr. Ariel Ahart, bashkëshorten e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Shkëlqesisë së Tij Z. Donald Lu. Zonja Ariel Ahart ishte e ftuar nga Fakulteti i Shëndetit Publik në kuadër të nismës së informimit kundër Dhunës ndaj Grave. Në këtë vizitë, Dr. Ariel Ahart u prit nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, Dekani i Fakultetit të Shëndetit Publik Prof. Dr. Enver Roshi dhe Pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Me këtë rast, në Sallën Blu të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u zhvillua një leksion i hapur me praninë e Dr. Ariel Ahart. Dr. Ahart, e doktoruar dhe me një eksperiencë 20 vjeçare në Fushën e Shëndetit Publik, asistoi në aktivitetin e përgatitur nga studentët e Fakultetit të Shëndetit Publik.

Qëllimi i këtij leksioni të hapur ishte prezantimi i punës informuese së studentëve të vitit të parë, të cilët me ndihmën e Pedagoges së tyre, Znj. Orjola Pampuri, kishin mbledhur të dhëna zyrtare dhe kishin zhvilluar anketa në disa vende të Shqipërisë për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe informimin mbi statistikat, përhapjes së fenomenit, si dhe identifikimin e diferencave psikosociale në dhunën ndaj grave në Republikën e Shqipërisë.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, pasi falënderoi Znj. Ahart për vizitën, bëri një prezantim të shkurtër të rëndësisë së punës informuese të aktorëve social dhe publik në orientimin e politikave dhe organizimin e aktiviteteve për ndërgjegjësimin dhe parandalimin me anë të informacionit të dhunës ndaj gruas. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë është promotor i aktiviteteve informuese me bazë sociale dhe shkencore dhe përkrah studentët e tij në zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese.

Dekani i Fakultetit të Shëndetit Publik Prof. Dr. Enver Roshi u shpreh i kënaqur nga puna e studentëve, të cilët kishin bërë një punë të mirë statistikore duke identifikuar dhe trajtuar faktorët socialë, si dhe duke i krahasuar ato me realitetin shoqëror të vendit tonë. Ai u uroi studentëve suksese të mëtejshme në studimet e tyre në fushën e Shëndetit Publik dhe angazhim të vazhdueshëm në aktivitete informuese.

Në fjalën e saj, Dr. Ariel Ahart shprehu vlerësimin e saj për punën e studentëve dhe përgëzoi ata për gatishmërinë e tyre për të punuar të dhënat dhe statistikat ndërgjegjësuese të fenomeneve sociale dhe publike. “Kjo është një punë ekselente që duhet të promovohet dhe të vazhdojë më tej, si nga studentët, ashtu dhe nga institucionet që kryejnë një punë shkencore për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e dhunës ndaj gruas”, u shpreh Znj. Ahart.

 

FOTOT E AKTIVITETIT

 

                          REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *